Arturo Vidali u takua dje me drejtuesit e Barcelonës për ta shkëputur kontratën dhe do të mbërrijë në Itali sot gjatë ditës, për t’i kryer testet mjekësore para kalimit në Inter.
Mesfushorit kilian iu bë me dije nga trajneri Ronald Koeman se ai duhet të gjejë klub të ri, prandaj Barça ishte e gatshme t’ia shkëputë kontratën një vit para se t’i mbarojë, sesa të bisedojë me klubet e interesuara për çmimin e tij.
Sipas Sport Mediaset, kontrata e tij u shkëput mbrëmë, pasi Vidal pranoi të heqë dorë nga paga e tij për vitin e fundit, në mënyrë që t’i bashkohet Interit falas.
Vidali ka arritur marrëveshje personale me Interin tashmë, pasi është pajtuar për kontratë dyvjeçare, me mundësi për edhe një vit tjetër, me pagë vjetore 6 milionë euro plus bonuse.
Ai pritet të mbërrijë në Milano në orët në vazhdim për testet mjekësore dhe për nënshkrimin e marrëveshjes.
Në Inter ai do të ribashkohet me trajnerin Antonio Conte, i cili kishte këmbëngulur në transferimin e tij që prej janarit.