Video e Von Der Leyen me hartën evropiane pa Kosovën, BE: E larguam sapo e morëm vesh

Prishtinë | 03 Jan 2025 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, më 1 janar kishte publikuar një video në profilin e saj në “X” ku njoftonte se Rumania dhe Bullgaria i janë bashkuar Zonës Schengen. Megjithatë ajo që kishte nxitur reagime ka qenë fakti se në hartë s’ka figuruar Kosova si shtet dhe është paraqitur brenda hartës së Serbisë.

Për këtë kishin komentuar shumë në profilin e Von Der Leyen, një ndër to edhe politikania gjermane, Doris Pack, e cila e kishte pyetur shefen e KE-së se ku është shteti i Kosovës në hartë.

Pas nxitjes se këtyre reagimeve, videoja që Von Der Leyen e kishte publikuar më 1 janar, ishte fshirë më 2 janar, pasi kishte marrë rreth 2 milionë shikime.

Lidhur me këtë çështje kanë folur sot nga BE-ja, duke thënë se ato pamje janë larguar, sapo çështja e hartës ishte sjellë në vëmendje.

“Pamjet vizuele në llogaritë e mediave sociale të Komisionit Evropian, të cilat u publikuan për të mirëpritur Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtarë të plotë të zonës Schengen, u hoqën nga të gjitha platformat sapo çështja u soll në vëmendjen tonë”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për Klan Kosova.

Të ngjashme