Nderi më i madh që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës, është puna dhe përkushtimi për ta çuar përpara vendin, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Në një video përmbledhëse, Osmani ka deklaruar se përkushtimi për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës, do të vazhdojë përgjatë vitit 2025.
“Përgjatë vitit 2024, pjesa më përmbushëse e angazhimit ishin takimet me qytetarë. Bashkëbisedimet tona për sfidat dhe sukseset janë shtysa më e madhe për të vazhduar punën me përkushtim edhe në këtë vit të ri dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë!”, ka theksuar Osmani.
Osmani thekson se edhe pse sfidat vazhdojnë “ne i qasemi kësaj këmbëngulje me orientim të qartë strategjik të bazuar edhe në vullnetin e qytetarëve”.
“Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin përpara, e për ta fuqizuar shtetësinë tonë edhe më shumë dhe për të qenë vesh e sy e mbështetje për secilin qytetar. Momenti kur do të themi se vërtetë ja kemi dalë është kur qytetarët do të thonë jemi krenarë për vendin tonë, për vlerat që ai përfaqëson dhe për mundësitë që ofron. Ky është nderi më i madh që mund të ja bëjmë Kosovës. Edhe pse sfidat vazhdojnë ne i qasemi kësaj këmbëngulje me orientim të qartë strategjik të bazuar edhe në vullnetin e qytetarëve. Qytetarët janë zemra e këtij shteti, përfshirë edhe rolin e madh të mërgimtarëve”, tha ajo në video mesazhin e publikuar në Facebook.