Janë publikuar pamjet e kamerave nga korridori i Kuvendit të Kosovës, ku dje u pretendua nga Lëvizja Vetëvendosje se dy deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi, sulmuan fizikisht deputetin e tyre, Gazmend Gjyshinca.
Nga pamje shihet se deputetët e LDK-së Arben Gashi, Kujtim Shala e Doruntina Maloku presin te dera e sallës së mbledhjes. Me të dalë nga aty Gazmend Gjyshinca i Vetëvendosjes, pamjet tregojnë që rrethohet nga ana e deputetëve të LDK-së. Po ashtu, shihet kur Gjyshinca preket nga pas nga ana e Arben Gashit.
Por, kjo “prekje” nuk e justifikon thirrjen e auto-ambulancës.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, ku ishte thirrur për raportim Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, kishte kaluar me tensione mes deputetëve.
Kryesisht, akuza e kundër-akuza kishin shkëmbyer deputetët e LDK’së, Kujtim Shala e Arben Gashi me deputetin e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshincën.
Tensioni kishte vazhduar edhe pasi që ishte mbyllur mbledhja e Komisionit.
Lëvizja Vetëvendosje thirri konferencë të jashtëzakonshme për media, pas mbledhjes, në të cilën folën Fitore Pacolli dhe Gazmend Gjyshinca, përderisa në sfond të tyre ndodhej një auto-ambulancë.
Autoambulanca ishte thirrur nga Grupi Parlamentar i VV’së për t’i dhënë ndihëmën e parë deputetit Gjyshinca.
Sipas deputetëve të VV’së, pas mbledhjes, Kujtim Shala e Arben Gashi kanë sulmuar fizikisht deputetin Gjyshinca. Madje, ata thanë se për ta dëshmuar këtë dhunë mbi krahun e djathtë të deputetit, kanë dëshmi të mjekëve.
Kjo u demantua pas disa orëve nga Shala e Gashi, por megjithatë, kjo ngjarje u bë ngjarja kryesore e ditës së djeshme.