Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se hajnat kanë vjedhur e demoluar zyret e tyre në Kamenicë.
Në lidhje me këtë BIK-u njoftimin e bëri përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë njofton se sot rreth orës 9.00 janë gjetur të thyera dhe të demoluara zyrat e Këshillit të BI-së. Me këtë rast dyshohet për vjedhje dhe demolim të rëndë i të mirave materiale që gjendeshin në objektin e administratës së KBI-së në Kamenicë”, thuhet në njoftim.
Kryetari i KBI-së në Kamenicë, Ferid Dërmaku ka bërë të ditur se këto zyre janë hapur dhunshëm, përcjell Klankosova.tv.
“Objekti i KBI-së në Kamenicë është hapur dhunshëm nga dritarja në katin përdheses dhe janë thyer, demoluar, e hapur dhunshëm katër dyer të zyrave të administratës në katin e dytë tek zyra e kryetarit, sekretarit, arkëtarit dhe atë të depos, dhe se hajnat kanë hapur dhunshëm kasafortën e kyçur të arkës në zyrën e arkëtarit, ku ata konsiderohet se nga aty kanë marrë mjete në vlerë prej 1,086.30 euro”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Ata, gjithashtu njoftuan se hajnat kanë demoluar dokumentacionin e arkivit të këtij Këshillit në zyrën e arkëtarit.
“Rasti është raportuar edhe në polici, të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë incizimin dhe regjistrimin e dëshmive të mundshme në vendngjarje. KBI në Kamenicë apelon tek institucionet e sigurisë që rasti në fjalë të hetohet sa më shpejt që është e mundur dhe kryesitë e kësaj vepre kriminale të vihen para drejtësisë”, thuhet tutje në këtë njoftim.