Për ambasadoren gjermane në Prishtinë, Angelika Viets kriza politike në Kosovë është pasojë edhe e armiqësive të vjetra e egoizmave partiakë. Megjithatë, në fund të mandatit në Kosovë ajo merr një kujtim të bukur me vete
DW: Zonja ambasadore Viets, ngërçi aktual politik në Kosovë, ku seancat parlamentare radhazi dështojnë nuk të bën optimist. E kuptoni ju këtë varavingo politike?
Viets: Po, mund ta kuptojmë shumë mirë, nga njëra anë kjo situatë të kujton shumë atë të verës 2014, edhe atëherë kishim zgjedhje të parakohshme, por në thelb konflikti është më i vjetër. Ai të kthen pas në vitin 1999, ndoshta edhe më parë, përballë njëra-tjetrës qëndrojnë parti të armiqësuara, individë të armiqësuar me njëri-tjetrin, kjo e bën shumë të vështirë dhënien e recetave për një zgjidhje. Kriza në zgjedhjet e fundit në 2014-n nuk u kapërcye.
DW: Duket se asnjëra nga partitë nuk po lëshon pe, çfarë strategjie fshihet pas kësaj?
Viets: Partitë janë të interesuara kryesisht për ruajtjen e pushtetit, dhe persona të caktuar që veprojnë, janë jo pak të interesuar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ta. Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale, nëse nuk janë në pushtet. Kemi një situatë patt-i tani, dhe madje rrezikon një bllokade i gjatë. Partitë deri më tani nuk ia kanë dalë të bien dakord për një axhendë kombëtare me konsensus. Janë egoizmat ato, që i pengojnë politikanët për të menduar në radhë të parë për fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një luftë për pushtet e përcaktuar nga egoizmat.
Nga ana tjetër zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, siç edhe u vlerësuan nga vëzhguesit. Qytetarët për herë të parë nuk votuan mbi bazë oportuniteti, si në të shkuarën, por sipas ndërgjegjes e arsyes. Njerëzit në Kosovë kanë ecur më përpara se politika. Ne jemi përpjekur po ashtu të çojmë përpara transformimin e shoqërisë me projekte nga Evropa, BE Gjermania e partnerë të tjerë.
DW: A prisni daljen nga kriza të enjten, kur do të zhvillohet seanca e re parlamentare?
Viets: Jo, nuk pres. Edhe nëse në ditët e javët e ardhshme do të arrihej shumica qeverisëse, pra 61 deputetët që janë të nevojshëm, – 61 ose 61 nga 120 deputetë – kjo do të ishte një qeveri jo e stabilizuar, saqë shpesh edhe kuorumi në parlament nuk do të arrihej, pra do të jetë e vështirë edhe miratimi i një ligji normal që kërkon vetëm shumicë të thjeshtë.
DW: Por, si mund të dilej nga ky udhëkryq, një qeveri gjithëpërfshirëse është përmendur po ashtu…
Viets: Nuk shoh për momentin se partitë që janë bashkuar në një koalicion, mund të krijojnë një qeveri të qëndrueshme në plan afatgjatë. Mendoj dhe për fat të keq, se skenari më i mundshëm është një fazë e gjatë të mungesës së stabilitetit deri në zgjedhje të reja. Kjo nuk është mirë për agjendën tonë. Kosova ndryshe nga vendet e tjera ka pak përvojë qeverisëse, tani po ndërtohet një Kosovë moderne, ky është një proces i dhimbshëm, kjo kërkon kohën e saj, e me sa duket këtë kohë ne duhet t’ua japim.
DW: Përmendët se skenari i mungesës së stabilitetit nuk është i mirë për agjendën…çfarë pasojash konkrete kanë këto vonesa për Kosovën?
Viets: Do të shtyhen edhe më tej në kohë implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, agjenda evropiane, projekte konkrete ekonomike të BE-së me Kosovën-kjo nuk është gjë e mirë. Edhe për shkak të statusit ende të kontestuar për Kosovën, Kosova është një rast i veçantë mes vendeve të Ballkanit. Politikanët në vend e dinë, se edhe për shkak se ka vende në BE që nuk e njohin Kosovën, rruga në BE do jetë të shumë e gjatë, prandaj është shumë e vështirë të ruhet vullneti për reforma. Detyra jonë është që ky vullnet të forcohet, për këtë kemi krijuar edhe iniciativa të rëndësishme si Procesi i Berlinit për të përshpejtuar këtë fazë tranzicioni e për të dhënë impulse për bashkëpunimin rajonal.
DW: Situatë kritike për Kosovën, ku ka shumë çështje të hapura – dialogu me Serbinë ka ngecur, çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është zgjidhur, të mos harrohen problemet ekonomike e papunësia në vend…
Viets: Politikanët duhet të bashkohen për axhendën e Kosovës, të lenë pas interesat personale. Lidhur me dialogun që përmendët ai është prioritet politik për ne, por ka gati një vit e ky dialog ka ngecur. Ka mjaft ujdi që janë arritur dhe nuk janë implementuar, si për shembull asociacioni nga pala kosovare dhe ujditë për energjinë nga pala serbe. Veç këtyre ujdive kemi një asimetri të madhe. Nga njëra anë Vuçiç që doli i fortë nga zgjedhjet e ka një parti të fortë pas vetes, nga ana tjetër kemi këtu një situatë, ku pushteti është ndarë mes tre kampeve dhe nuk ka konsensus kombëtar për asnjë temë. Dialogu, siç është zhvilluar deri më tani, pa përfshirë edhe parlamentin e Kosovës për të arritur konsensusin e nevojshëm, nuk mund të mendohet më.
DW: Zonja Viets ju e mbaroni për pak ditë mandatin tuaj në Kosovë. Cili është bilanci juaj për këtë kohë?
Viets: Bilanci politik është mjaft i përzier. Krahas disa sukseseve, si nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit apo efektet e Procesit të Berlinit, ka pasur tema që kanë dështuar. UNESCO ishte dështim i madh për Kosovën. Largohem me përshtypjen se kanë qenë tre vite me intensitet të madh, me mjaft kriza të vogla e të mesme që na bënin të mbanim frymën. Por ishte edhe kënaqësi, sepse konsultimi ndërkombëtar, nga SHBA, por edhe nga Gjermania kërkohet gati përditë. Nuk më kujtohet ndonjë post tjetër, ku mund të bësh kaq shumë, si në Kosovë. Por ngaqë kosovarët kanë tendencën të të bëjnë komplet për vete, duhet ruajtur edhe distanca kritike. Megjithatë përulësia rritet, kur shikon se çfarë problemesh e sfidash duhet të kapërcejë një vend kaq i vogël si Kosova.
DW: Çfarë kujtimi do merrni me vete kur të largoheni…
Viets: Ka pasur shumë takime personale me njerëz mjaft impresionues, por ajo që më ka prekur gjithmonë është se edhe kur shkon në një fshat të vogël, njerëz të panjohur vijnë, kur e dallojnë që vjen nga Gjermania të përqafojnë pa të pyetur e të thonë “Faleminderit Gjermani!” Këtë nuk do ta harroj!