Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe mbikëqyrësin e degës, Alush Sinani, të mërkurën kanë vënë gurthemelin e objektit të Degës së Gjykatës Themelore në Viti.
Me këtë rast, Zogaj ka falënderuar komunën e Vitisë për ndarjen e lokacionit dhe ofrimin e kushteve të ndërtimit, duke shtuar se KGJK mbetet e përkushtuar që qytetarët të kenë akses më të lehtë në shërbimet e gjykatës dhe një prej parakushteve është edhe ndërtimi i këtij objekti që do të jetë modern dhe do ofroj shërbime më efikase për qytetarët.
Kryetari i Gjykatës, Venhar Salihu ka mirëpritur fillimin e ndërtimit të objektit, duke shtuar se me ndërtimin e këtij objekti Dega e Vitisë do të ketë kushte shumë më të mira për punë.
Nga ana tjetër kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka theksuar se ky është një lajm i mirë për qytetarët e Vitisë, duke shtuar se në afërsi këtij objekti do të ndërtohen edhe objekte të institucioneve të tjera, që do të ju shërbejnë qytetarëve të Vitisë.
Mbikëqyrësi i Degës, Alush Sinani ka mirëpritur fillimin e punimeve, njëherit ka falënderuar të pranishmit për kontributin e tyre.
Investitor i këtij objekti është Këshilli Gjyqësor i Kosovës.