Vihet gurthemeli i Shkollës Profesionale në Ferizaj, ftohen të rinjtë të orientohen në këto shkolla

Ferizaj | 04 Tet 2018 | 13:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë qëndrimit në Komunën e Ferizajt ka vizituar Qendrën e Kompetencës, është takuar me kryetarin e komunës, Agim Aliun, dhe bashkë me të kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të Shkollës Profesionale në këtë komunë.

Pas vendosjes së gurthemelit, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur për vizitën në Shkollën e Kompetencës dhe për përurimin e fillimit të punimeve të Shkollës Profesionale.

“Vizitova edhe një shkollë profesionale, shkollën e kompetencës, dhe është një shkollë që pa dyshim duhet të jetë shembull, praktikë e mirë edhe për shumë shkolla të tjera profesionale”.

“Sot është kënaqësi e madhe se po bëjmë përurimin e fillimit të punimeve të një shkolle të rëndësishme, siç është shkolla profesionale. Urimi i veçantë i shkon edhe të rinjve të Ferizajt qe do të kenë mundësi tash e tutje të marrin kompetencën dhe dijen e nevojshme”.

Sipas Bytyqit, arsyeja pse MAShT-i ka vendosur për prioritet zhvillimin e shkollave profesionale është se orientimi në këto shkolla është më i drejti për të ardhmen e të rinjve, raporton EO.

“Jemi zotu edhe si ministri që të bëjmë angazhime që të rinjve tanë t’iu sigurojmë jo vetëm një edukim të mirë, por edhe një orientim të drejtë për të ardhmen e tyre dhe konsideroj se orientim më i drejtë sesa shkollat profesionale nuk do të ketë. Kjo është edhe arsyeja kyçe pse kemi vendosë prioritet shkollat profesionale”.

Ndërkaq, kryetari Agim Aliu falëndëroi ministrin Bytyqi për prezencën dhe mbështetjen e projektit për themelimin e Shkollës Profesionale.

Ai theksoi se shkolla profesionale ishte edhe zotim i tij, por edhe kërkesë nga bizneset për krijimin e mundësive të zhvillimit të profesioneve që i kërkon tregu i punës, raporton EO.

“Po fillojmë një fazë të re të projekteve me ndërtimin e një shkolle që ishte edhe zotim, ndërtimi i shkollës profesionale, që në fakt më shumë se zotim i imi ishte kërkesë e biznesit. Është një kërkesë e shtuar për profesione, respektivisht për krijimin e qytetarëve tanë me kualifikime që atyre u duhen. Pikërisht sot po vëmë gurthemelin për një mundësi të tillë”.

Kryetari Aliu bëri të ditur se pritet që projekti i radhës të jetë ndërtimi i një pishine gjysmë-olimpike.

“Jemi këtu në një projekt që do t’i shtojë madhështinë kësaj pjese të natyrës, e që lidhet edhe me projekte të tjera që ne kemi thënë se do zhvillohen në komunën e Ferizajt. Qëllimi është që ne t’i ndërlidhim projektet njëri me tjetrin. Shumë shpejt do e kemi pjesë të buxhetit edhe një pishinë gjysmë-olimpike, e cila do jetë po ashtu në kuadrin e Arsimit”, shtoi Aliu.

I pyetur rreth vendimit që në klasa mos të ketë më shumë se 28 nxënës, kryetari Aliu tha se beson që ky vendim e ngritë cilësinë dhe përmirëson kushtet e punës.

“Tashmë kemi ndjekur hapat që jemi duke bërë si qeverisje lokale që t’i japim mundësi më shumë segmentit të aftësimit profesional. Vendimi im që në klasat e shkollave të mesme, te klasat e 10-ta që të ketë vetëm nga 28 nxënës, është vendim që jo vetëm që ngritë cilësinë, kushtet e punës për nxënësit dhe mësimdhënësit, në të njëjtën kohë shërben që  të ketë mundësi që shkollat profesionale të jenë përfituese të saj”.

Drejtimet që për herë të parë po hapen në Ferizaj, siç tha Aliu, janë për konfeksioneria dhe tekstili.

“Më lejoni të them që ne për herë të parë kemi hapë një drejtim të ri për konfeksion dhe tekstil. Le  të shërbejë ky si shembull që ka drejtime të tjera ku ka interesim të nxënësve. Në drejtimin për tekstil dhe konfeksion që është hapur për herë të parë në Ferizaj është plotësuar menjëherë klasa. Ne kërkojmë edhe drejtime të tjera të ngjashme, në mënyrë që klasat të mbushen plot, të krijojmë kuadra të reja nga nxënëset dhe nxënësit tanë”.

Ministri Bytyqi shtoi se kostoja në total për këtë projekt është rreth 2 milionë euro dhe tregoi që kushtet janë të parapara me kontratë.

Të ngjashme