Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, si dhe me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e urës e cila do të lidhë fshatrat Hamidi dhe Plemetin.
Ura do të kushtojë 340 mijë euro dhe do të ndërtohet brenda një viti.
Kryeministri Mustafa, me këtë rast tha se ky investim është shumë i rëndësishëm dhe jo aq i shtrenjtë sa është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune.
“Komuna ka kohë që ka bërë kërkesë për ndërtimin e kësaj ure që lidh Plemetinin dhe fshatrat andej Sitnicës. Unë shpresoj se me këtë do të përmirësohet gjendja dhe do të shfrytëzohen tokat të cilat janë atje do të shkurtohet rruga për të gjithë fshatarët që jetojnë andej lumit dhe po ashtu do ta marrë mbi vete edhe qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës që në të ardhmen të ndërtohet edhe rruga, sepse vetëm me urë nuk zgjidhet problemi, por fillon zgjidhja e këtij problemi”, theksoi Mustafa.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, njoftoi se vlera e projektit të ndërtimit të urës është rreth 340 mijë euro, e cila do të ndërtohet për një vit kalendarik.
“Ura i ka dy pjesë: pjesa e parë 70 metra dhe pjesa e dytë 10 metra dhe e gjerë pesë metra, si dhe anash nga 1 metër e gjysmë trotuare”, u shpreh Zharku.
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ndërtimi i kësaj ure ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të kësaj komune.