Një ditë pas paralajmërimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara pa leje, policia ka zbritur në terren për të intensifkuar aksionin “Bregdeti ynë”, të nisur pak kohë më parë.
Policia njofton se ka evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra nga kontrollet në Golem dhe Kavajë përgjatë Përroit të Agait në drejtim të Karpenit.
Sipas Policisë, operacioni vijon pa problem dhe kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare, shkruan A2 CNN.
Kjo është faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.
Një ditë më parë, Rama iu bëri thirrje subjekteve që t’i lironin vetë hapësirat e zaptuara pa leje, ose në të kundër do të largohen dhe do t’i konfiskohen të gjitha çadrat e shezlongët, për të mos iu kthyer më.
Kujtojmë se mesnatën e së shtunës konflikti për shfrytëzimin e lejes së plazhit çoi në katër viktima dhe dy të plagosur në Velipojë.