Me vonesë iu njoh statusi i viktimave të dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë. Si kategori e luftës u futën në ligj në vitin 2014. Por përveç një pensioni prej 230 eurosh, viktimat e dhunës seksuale nuk gëzojnë shumë benefite që i gëzojnë kategoritë e tjera të luftës.
Viktimat, si dhe organizatat që i përfaqësojnë, kanë kërkuar që ato të kenë edhe përfitime të tjera, siç janë shërbimet shëndetësore falas. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë treguar se cilat janë arsyet që kjo kategori është përjashtuar nga përfitimi i disa beneficioneve të tjera, të cilat nga viti 2011 i përfitojnë kategoritë e tjera të luftës, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas ligjit aktual, viktimat e dhunës seksuale kanë të drejtë në përfitimin e shërbimeve shëndetësore jashtë vendit, por vetëm nëse sëmundja që kanë lidhet me dhunimin që e kanë pësuar 20 vjet më parë. Ato, gjithashtu, në bazë të Ligjit për Sigurime shëndetësore, i cili ende nuk zbatohet, lirohen nga pagesa e premiumeve për sigurime, por vetëm në raste se janë kategori e varfër, e nga kjo kategori përjashtohen me vetë faktin se marrin 230 euro pension.
“Unë kam disa probleme shëndetësore dhe as nuk e di se pse nuk mund të kontrollohem tek mjeku pa pagesë, kam kërkuar sqarime dhe nga organizatat joqeveritare dhe më kanë thënë që me ligj është e rregulluar ashtu, nuk e dimë as ku të drejtohemi”, ka thënë një viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas saj, do të ishte mirë që atyre t’iu mundësohej kryerja e këtyre shërbimeve brenda Kosovës dhe pa pagesë.
“Mjaft kemi vuajtur tani edhe të paguajmë, nuk i kemi kushtet, kemi shumë probleme”, është shprehur ajo.
Për ankesat e tilla kanë treguar edhe në organizatat joqeveritare që janë marrë me trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se shërbimet shëndetësore brenda vendit nuk janë të parapara fare me Ligjin për këtë kategori. Ajo ka thënë se janë të parapara vetëm shërbime jashtë shtetit.