Vinicius Junior ka vendosur t’u japë fund spekulimeve për raportin e tij me Kylian Mbappen në dhomat e zhveshjes së Real Madridit.
Sulmuesi brazilian e ka mbrojtur publikisht yllin francez, duke theksuar se marrëdhënia mes tyre është shumë e mirë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Në javët e fundit, në Spanjë dhe Francë kanë qarkulluar zëra për tensione mes dy superyjeve të “Los Blancos”, madje disa media raportuan për një ndarje të grupit në dhomën e zhveshjes, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, Vinicius e ka mohuar çdo problem me Mbappen, duke e quajtur francezin një futbollist “legjendar” që do ta shkruajë historinë te Real Madridi.
“Është një lojtar legjendar. Nuk kemi arritur ende ta tregojmë nivelin tonë më të mirë së bashku, por ai do të lërë gjurmë këtu”, deklaroi Vinicius në një intervistë për mediat braziliane.
Braziliani shpjegoi se adaptimi i dy lojtarëve me karakteristika kaq të forta kërkon kohë, por insistoi se raporti i tyre personal mbetet pozitiv.
Sipas tij, objektivi kryesor është që ta ndihmojnë Real Madridin të rikthehet te trofetë pas një sezoni të komplikuar.
Vinicius zbuloi gjithashtu se kishte tentuar prej vitesh ta bindte Mbappen të transferohej në “Santiago Bernabeu”.
“Çdo verë i shkruaja: ‘Kur po vjen?’. E kam bërë punën e menaxherit edhe me të, edhe me Bellinghamin. Dua të luaj me më të mirët për të fituar më shumë”, tregoi sulmuesi brazilian.
Mbappe, i cili iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2024 pas largimit nga Paris Saint-Germaini, ka regjistruar statistika të jashtëzakonshme në sezonin e tij të parë në Spanjë.
Francezi i realizoi 31 gola në 34 ndeshje të La Ligës, e fitoi “Pichichi”-n dhe gjithashtu “Këpucën e Artë” evropiane.
Ai e arriti edhe shifrën e 39 golave në sezonin debutues me Realin, duke e thyer rekordin historik të Ivan Zamoranos.
Kurse, në sezonin e dytë e fitoi prapë “Pichichin” me 25 gola, dy më shumë se sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi.
Nga ana tjetër, Vinicius vazhdon të mbetet një nga figurat kryesore të projektit madrilen, pavarësisht zërave për të ardhmen e tij dhe negociatave ende të hapura për vazhdimin e kontratës.
Braziliani ka kontratë deri në vitin 2027 dhe së fundmi deklaroi se nuk ka nxitim për ta nënshkruar marrëveshjen e re, duke theksuar se ndihet i lumtur te Real Madridi.
Pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme për rivalitet mes dy yjeve ofanzivë, Vinicius insistoi se bashkëjetesa me Mbappen funksionon dhe se të dy janë të përqendruar vetëm te suksesi i klubit madrilen.