Ka një çerekshekulli që violina është bërë e pandashme për të. Violinistja Mariana Hutchinson Siemers, e lindur dhe e rritur në Kubë, që njihet për kulturën e vallëzimit, të cilin edhe e shohin si pjesë esenciale të jetës.
Mariana Hutchinson Siemers thotë se nga Kuba e ka babanë, ndërsa nëna e saj është gjermane. Thonë se fëmija nuk i dëgjon fjalët e prindit, por i imiton veprimet e tij. Kështu kishte bërë edhe Mariana qysh në moshën 8-vjeçare, shkruan sot Koha Ditore.
Por sot është 33-vjeçare dhe ia ka tejkaluar nënës së saj, të cilën e kishte pasur mësuesen dhe ndikimin e parë për violinë.
“Ajo kurrë nuk mundi të bëhej violiniste profesioniste, por unë gjithmonë e dëgjoja atë duke luajtur në violinë. Luante shpesh në violinë dhe mendoj se edhe vetë kam filluar të luaj në violinë nga ndikimi i saj. Kur e shihja atë duke luajtur, doja ta bëja edhe unë të njëjtën”, thotë Mariana.
Nga ana e nënës së saj i ka të gjithë muzikantë, por babanë, motrat e vëllanë i ka vetëm dashamirës të muzikës.
Muzika – esenciale në zhvillimin e ndjenjave
Shpejton – jo pse do ta mbarojë rrëfimin e saj – por e presin provat së bashku me grupin e saj “Oerknal”, me të cilin ka luajtur në Kosovë në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, në javën e fundit të marsit.
Megjithëse jetën në Kubë e përshkruan si shumë të rrethuar me muzikë, ajo hapat e parë drejt këtij rrugëtimi i kishte marrë në Gjermani në “Scholen in de Kunst”, që është një institucion publik që synon të sjellë sa më shumë njerëz në kontakt me artin dhe kulturën nëpërmjet edukimit kulturor.
Në përshkrimin e kursit të tyre thuhet se edukimi kulturor luan një rol të domosdoshëm në zhvillimin personal të të rinjve dhe të moshuarve, të ushqyer nga vlera që arti ka në vete. Bindjen e njëjtë sot e ushqen Siemers.