I pari nuk ka moshë as një muaj, ndërsa i dyti është i pranishëm në jetën tonë më shumë se një shekull.
Virusi aktual covid-19 ka prekur sipërfaqen më të madhe të planetit tonë. Përmasat e tij janë në progresion në pjesë të ndryshme të botës. Mënyra e shfaqjes është e pa dukshme dhe terapia adekuate mungon ende. Ky virus ka arritur edhe në etninë shqiptare dhe është duke u bërë një mobilizim i përgjithshëm gjithandej.
Në këtë betejë me virusin korona, në Kosovë është krijuar një konflikt politik në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës. Pa hyrë në motivet e këtij konflikti, është kërkuar pretekst për ta prishur koalicionin. Ky konflikt, ka nxitur një fiksion për të shkuar përsëri në zgjedhje, por paraprakisht duke fajësuar partnerin qeverisës, me pretendimin se kështu mund të krijohej në publik figura e viktimës.
Këtë situatë konfliktuoze në mes të partnerëve qeverisës, e shfrytëzoi opozita me votën e saj e cila kauzën e parë e ka shkurtimin e jetës së qeverisë. Kjo përputhje e objektivave të opozitës dhe të pjesës së injoruar të mazhorancës nga ana e partnerit të tyre, nxiti mocionin për shkarkimin e qeverisë dhe kështu u hap kapitulli i ndryshimeve në baza të rregullimit kushtetues.
Por, ne, kemi të pranishëm në jetën tonë, tani e njëqind vjet një virus që ka marr jetët e shqiptarëve që nga ardhja e tyre në trojet tona para një shekulli, duke dëbuar me zjarr e bajoneta, shqiptarët nga afër 700 vendbanime.
Në shekullin e 20-të, kemi kapitujt e dhunës me vrasje serike e në përmasa të gjera që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e deri në fund të shekullit njëzet. Vetëm në dy vitet e fundshekullit, përkatësisht më 1998 dhe 1999, janë vrarë dhe zhdukur rreth 15.000 qytetarë të Kosovës. Pushtuesi serb, ka dëbuar me dhunë një milionë qytetarë në shtetet fqinje dhe duke ushtruar forma tjera të dhunës trishtuese.
Tani në fillim të shekullit 21, kemi shpallur pavarësinë e Kosovës dhe me mbështetjen e shteteve që na ndihmuan për ta larguar Serbinë nga trojet tona, krijuam mbështetje të njohjeve ndërkombëtare, të mbi gjysmës së shteteve anëtare të OKB-së dhe kryesisht nga shtetet me më ndikim në botë.
Në frontin kundër virusit corona, është gjithë bota. Por edhe gjithashtu nga ky virus në shënjestër nuk janë shqiptarët dhe as vetëm Kosova.
Ndërsa virusi Serbia, shënjestrën kryesore dhe frontin e vetëm e ka vetëm Kosovën. Në këtë front bashkë me ne, nuk e kemi gjithë botën, megjithatë kemi mjaft, ata që duan ta kenë praninë e tyre ushtarake në Bondstil dhe Kuçovë. Ata janë miqtë tanë strategjik, duhet t’i ruajmë për epilogun e frontit me virusin Serbia.
Aleatët duan ta zgjidhin këtë konflikt që kemi me virusin Serbia dhe ta bëjnë edhe një vend mik të tyre anëtar në OKB dhe ta kenë edhe një anëtar besnik në NATO. Për Kosovën dhe popullin shqiptar gjithandej, janë arritje jetike dhe historike këto objektiva. Kush i injoron këto synime, ka probleme me ADN-në e tij dhe duhet të izolohen në jetën tonë, sepse janë simptome virale të llojit të vet.
Prandaj, të gjithë ata që justifikohen se para se gjithash duhet të fokusohemi në frontin me virusin corona, duhet t’ju themi, lëreni demagogjinë, këtë front e kryejnë institucionet shëndetësore dhe kujdesi qytetar me ndërgjegje të koncentruar në këtë fenomen që është mjaft i theksuar aktualisht.
Çdo ikje nga fronti i përbashkët në luftën me virusin Serbia, është kolaboracionizëm i llojit të vet, sado retorikë e sofistikuar, nuk ka justifikim.
Ky virus kërcënon e sfidon çdonjërin që flet shqip dhe cenon haptazi tërësinë territoriale të vendit tonë.
Është koha e fundit që kërkon krijimin e frontit të unitetit pa kalkulime në përfitime personale dhe pa xhelozi të ndërsjellë. Vetëm kështu arrijmë synimin tonë në fitoren përfundimtare në këtë front. Kështu pastaj krijojmë premisa reale për arritje të synimeve tona historike.