Drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se në klinikë janë duke u trajtuar 11 pacientë me Coronavirus.
Sipas, doktor Vishaj 5 prej tyre do të lëshohen për në shtëpi ndërsa do të vazhdojnë trajtimin intensiv 6 të tjerë.
“Në klinikën infektive tani i kemi 11 pacientë. Gjatë ditës do t’i lëshojmë edhe 5 pacientë dhe mbesin në repart 6 pacientë. Tani e kemi një pacient që do ta transferojmë nga qendra emergjente në mjekimin intensiv të klinikës intensive. Kemi kapacitet prej 125 pacientëve dhe për momentin kemi vetëm 6 pacientë të shtrirë”, tha Vishaj.
Sa i përket lisë së majmunëve, Vishaj theksoi se Kosova nuk ka të regjistruar asnjë rast dhe nuk rrezikohet nga ardhja e diasporës.
“Por e di që në vendin tonë nuk kemi raste të regjistruara me linë e majmunëve. Nuk e mendoj që jemi të rrezikuar nga ardhja e diasporës dhe Kosova sikurse çdo pjesë e botës është në kontakt me vendet e Evropës”, u shpreh ai.