Një gazetar afgan është qëlluar për vdekje në një pritë përderisa po udhëtonte me veturë në provincën Ghor, bënë të ditur zyrtarët. Ky është gazetari i pestë që vritet në Afganistan vetëm në dy muajt e fundit.
Bismellah Adel Aimaq, 28 vjeç, ishte kryeredaktor i radiostacionit Zëri i Ghorit. Ai u vra afër qytetit Firoz Koh, kryeqytet i provincës Ghor.
Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e këtij gazetari, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Presidenti i Afganistanit, Ashfraf Ghani, e dënoi këtë vrasje dhe tha se qeveria e tij është e përkushtuar që ta përkrahë dhe ta promovojë lirinë e të shprehurit.
“Talibanët dhe grupet tjera terroriste nuk kanë mundur t’i shuajnë zërat legjitimë të gazetarëve dhe medieve përmes kryerjes së sulmeve të tilla”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sidoqoftë, talibanët në dhjetor thanë se nuk janë të përfshirë në vrasjen e gazetarëve.
Afganistani është një ndër shtetet më të pasigurta për gazetarët në botë dhe ndodhet në mesin e pesë vendeve me më së shumti gazetarë të vrarë në vitin 2020. Në vendin e parë në botë është Meksika me 13 gazetarë të vrarë.