Viti i ri akademik nis edhe në Universitetin “Kadri Zeka”

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Viti i ri akademik ka nisur edhe në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

Përmes një komunikate për media njoftohet se studentëve të rinj mirëseardhje u ka dëshiruar, Rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.

Ai ka thënë se janë tri risi me të cilat do të fillojnë këtë vit të ri.

“Themelimi i fakultetit të pestë, Fakulteti i Shkencave Aplikative, me programin e parë Matematika arsimore. Me këtë fakultet po hapim një rrugë të re, shumë të mirë për studentët dhe tregun e punës. Për herë të parë një pjesë e stafit tonë akademik dhe administrative fituan një projekt të Erasmus+, si grant-mbajtës. UKZ do të menaxhojë projektin me rreth 15 partnerë universitarë nga Kosova, rajoni dhe BE, në një vlerë prej afro një milion eurove. Sot fillon mandati i ri i organeve udhëheqëse të universitetit: i rektorit, senatit dhe i dekanëve”, ka thënë ai.

Rektori po ashtu ka thënë se orientim në këtë mandat do të jetë matja e cilësisë, përgatitja e studentit për tregun e punës dhe autonomia e Universitetit.

Kosumi në fjalën e tij, ka falënderuar studentët që e kanë zgjedhur dhe po e zgjedhin UKZ si alternativë jete e po ashtu ka falënderuar edhe ata studentë, të cilët me sukseset e tyre në Evropë e Amerikë, po ia rrisin autoritetin UKZ.

Ndërkohë , para studentëve me një fjalë rasti është paraqitur edhe kryetari i Parlamentit Studentor në Universitetin “Kadri Zeka”, Dritor Mehmeti. Ai tha se Parlamenti dhe Këshillat Studentore çdo herë do të jenë në shërbim të tyre. Njëherësh ka inkurajuar të gjithë ata student të cilët shprehin gatishmërinë të jenë pjesë e përfaqësimit studentor të ju bashkëngjiten strukturave të përfaqësimit në mënyrë që ta organizojnë jetën studentore në mënyrën më të mirë te mundshme.

Të ngjashme