Në arsimin parauniversitar të Kosovës të premten ka filluar viti i ri shkollor 2023/24. Ekonomia Online ka qëndruar në Shkollën Fillore te Mesme e Ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë.
Aty, objekti ishte shndërruar në kantier ndërtimi, teksa prindërit u shprehën të frustruar, pasi në këtë shkollë tash e sa kohë është duke u punuar për renovim.
Prindërit prapa kamerës kanë thënë për EO se janë njoftuar që mësimi do të mbahet vetëm në një pjesë të shkollës dhe me orar të shkurtuar.
E disa prindër tjerë të intervistuar nga Ekonomia Online folën për subvencionimin e librave. Thanë se nuk kanë pasur vështirësi në sigurimin e teksteve shkollore.
Prindi Isak Salihu, i cili kishte djalin në klasën e parë dhe vajzën në klasën e gjashtë, tha se nuk ka pasur vështirësi në sigurimin e teksteve.
“Djali fillon klasën e parë, vajza klasën e gjashtë. Vështirësi nuk mundem me thanë që ka pasur librarit janë pajisur me të gjitha librat, e keqja është që ka qenë shumë guzhmë e madhe dhe pa organizim pa përgatitje në moment të fundit”, tha ai.
Edhe Dukagjin Krasniqi, i cili kishte sjellë fëmijën në klasën e parë, tha se nuk ka pasur problem në sigurimin e librave.
“Jo nuk kem pasur vështirësi për me siguru librat. Kemi pasur njoftime paraprake prej grupeve të shkollës edhe nuk kemi pasur telashe. Po, edhe asistenca prej tyre ka qenë”, tha ai.
EO ka provuar të marr edhe drejtoreshën e kësaj shkolle, Kreshnike Kabashi-Ademi për këtë çështje, por e njëjta nuk ka pranuar.