Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje qeverisë të mos e injorojë dialogun me këtë sindikatë sa i përket realizimit të kërkesave të mësimdhënësve, sepse përndryshe, sipas tij, më 1 shtator do të ketë grevë të përgjithshme.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Jasharaj ka kërkuar të miratohet në kuvend projektligji për statusin e mësimdhënësve për vitet 89-99. Ai ka thënë se komunat nuk kanë bërë planifikime buxhetore për 70 për qind ë vlerës së biletave për mësimdhënësit udhëtarë dhe nuk kanë plotësuar as obligimin për tri paga me rastin e pensionimit të punëtorëve të arsimit.
“Qeveria, si duket, po heziton ta nisë dialogun, e kjo është keq”, është shprehur ai. Jasharaj ka thënë se duhet te ketë sërish rritje të pagave për mësimdhënës sipas normës së inflacionit. Krye-sindikalisti i arsimit ka kërkuar që institucionet të bëjnë më shumë për ta shtuar sigurinë në shkolla.