Ministri në detyrë Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq u kanë bërë thirrje qytetarëve të përdorin të gjitha shërbimet e mundshme në luftën kundër Coronavirusit.
Në një konferencë të përbashkët për media, Jevtiqi falënderoi ministrin në detyrë Vitia për ndihmën e dhënë në luftimin e kësaj sëmundjeje.
Vitia në anën tjetër ka thënë se institucionet shëndetësore në Kosovë janë të hapura për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në ofrimin e ndihmës në gjithë Kosovën.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë në mënyrë që të mbrojnë shëndetin publik në Kosovë dhe shtoi se është koha për të forcuar ndërveprimin me të gjitha komunat.
“Ne duhet të punojmë së bashku për të qenë në gjendje të testojmë dhe të ndihmojmë rastet dhe njerëzit me simptoma në komunitetin tuaj. Në këtë kohë të vështirë të pandemisë së Covid-19 përballë të gjithë botës, ne në Kosovë duhet të jemi së bashku më shumë se kurrë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrit, “ka thënë mes tjerash Vitia, përcjell rel.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq gjithashtu bëri thirrje për respektimin e rekomandimeve të ekspertëve në fushën e mjekësisë.
“Kjo sëmundje nuk njeh kufij, kjo sëmundje nuk njeh ndryshime dhe sulmon në mënyrë të barabartë të gjithë njerëzit. Është gjithashtu e rëndësishme që, përveç veprimit parandalues, të raportojmë çdo simptomë që tregon se njëri prej nesh mund të infektohet me kovid19 ” tha Jevtiq.
Përndryshe, analizat e mostrave nga komunitetet serbe në Kosovë kryhen në Institutin për Virologji, Vaksina dhe Serum “Torlak” në Beograd, por këtë javë testimi për disa raste është kryer edhe në Prishtinë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Deri më tani është raportuar për pesë raste të prekura me koronavirus në komunat serbe në Kosovë, katër në veri të Kosovës dhe një në komunën e Graçanicës afër Prishtinës. Një person nga Leposaviqi që vuante nga Covid-19 është raportuar të ketë vdekur të mërkurën.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.