Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi të martën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se para vetes ka një sërë urgjencash dhe prioritete, derisa ka shtuar se ka mungesë të planifikimit, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për Shëndetësi, së bashku me atë për sigurime shëndetësore dhe këto dy ligje do të jenë thelbi i reformës në sektorin e shëndetësisë”.
“Reformimi dhe përforcimi i inspektoratit shëndetësor, reformimi i SHSKUK-së, përforcimi i Agjencisë për Barna, përfshirë Ligjin për rregullimin e barnave. Këto masa presim ta japin rezultatin e tyre këtë vit në gjashtëmujorin e parë. Ka një kulturë pune të munguar në planifikim”, ka thënë Vitia.
Sipas tij, prioritete janë edhe sigurimi i profesionistëve shëndetësorë në fushat deficitare, zvogëlimi i listave të pritjes, kontrolli i sigurisë së barnave dhe mbikëqyrja institucioneve private për shërbimet që ofrojnë.
Vitia po ashtu ka bërë të ditur se këtë vit planifikohet hapja e konkursit të ri për specializantët.
Teksa ka folur për specializantët, Vitia ka thënë se me konkursin e ri do të ndajnë specializime me prioritet në lëmit ku ka më shumë nevoja.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka përmendur disa raste të skandaleve që kanë ndodhur në sistemin shëndetësor në vend.
Rasti i fshehjes së foshnjës në Pejë, e vrasja e shtatëzënës para Gjinekologjisë, ishin disa nga vërejtjet e Zemajt, me ç’rast tha se askush nuk është përgjigjur.
“Ju jeni larguar në pikun e pandemisë, ka ardhë një ministër tjetër që për një vit ka mbajtur atë pozitë, e më pastaj është larguar duke e lënë një letër të keqe duke thënë se qeveria Kurti ka lënë forma të korrupsionit. Detyra juaj në një institucion privat nuk ka lënë shije të mirë. Këto janë të meta të prodhuara gjatë kësaj kohe. E përmendet vërshimin, pse nuk ka dhënë dikush dorëheqje, sepse edhe më herët ka pasur vërshime por jo kështu”, tha Zemaj, teksa përmendi edhe rastin në Pejë e në Gjinekologji.
“Tentitiva për ta fshehur rastin e foshnjës në Pejë që askush nuk ka dhënë përgjigje dhe rasti i vrasjes së një nëne të pafajshme, askush nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Zemaj.
Ministri Vitia, duke iu përgjigjur deputetit të LDK-së, tha se llogaridhënia duhet të fillojë nga ministri e deri në hallkat tjera hirarkie.
Vitia foli edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv, që në krye të tij është kryeministri Albin Kurti.
“Për komisionin ekzekutiv është bërë sepse kryeministri Kurti ka dashur tw tregojë se shëndetësia është prioritet dhe t’i shtyejë përpara të gjitha gjërat”, tha Vitia.
Ai foli edhe për rastet tragjike që ndodhën në Pejë e QKUK.
“Po janë raste tragjike si në Pejë por edhe nw QKUK, dhe edhe kwtu janë duke u marrë organet e drejtësisë, dhe jemi duke punuar që këto raste mos të ndodhin. Kemi pasur raste edhe në shkollë por do të mundohemi që të përmirësohen kushtet”, tha Vitia, raporton EO.