Vitia: Ligji për çmimet tavan të barnave ka sjellë rezistencë nga disa ofertues

Prishtinë | 08 Gus 2025 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka deklaruar se mungesa e disa barnave në SHSKUK lidhet me procedurat e prokurimit dhe me rezistencën e disa ofertuesve ndaj ligjit për çmimet tavan të barnave, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, disa kompani kanë refuzuar të ofertojnë pasi nuk mund të përcaktojnë më çmime të larta si më parë.

“Janë disa procese procedurale kur jemi te ligjet e prokurimit. Ligji i prokurimit duhet të zbatohet patjetër. Në momentin kur hapet procedura tenderuese një herë nuk ka ofertues. Hapet edhe dy herë nuk ka ofertues. Pastaj, me një kërkesë përmes Agjencionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe pastaj edhe miratimet e MSH-së gjenden rrugët për të ardhur këto barna të cilat mungojnë. Natyrisht, ne duhet konsumuar këto procedura sepse nuk mund të shkojmë direkt në këtë mënyrë. Prandaj, edhe ekzistojnë disa mungesa të këtyre barnave në SHSKUK”, deklaroi Vitia.

Megjithatë, ai theksoi se pjesa më e madhe e distributorëve kanë qenë bashkëpunues dhe se këto masa synojnë mbrojtjen e qytetarëve nga çmimet e larta.

“Keni plotësisht të drejtë, kjo mund të ketë ndoshta lidhje me fillimin e implementimit të ligjit për çmimet e barnave, çmimin tavan të barnave, sepse disa ofertues – pa thënë për rastin e veçantë sepse nuk e di – mirëpo disa ofertues e di që kanë filluar të mos ofertojnë, sepse më herët kur kanë ofertuar kanë qenë çmime të cilat kanë qenë në dorën e tyre se sa të ofertojnë. Shpeshherë kemi parë që disa që kanë pasur vetëm disa produkte speciale kanë ofertuar përtej çdo limiti të çmimeve. Natyrisht, tani me ligjin për çmimin e barnave, me ligjin në tavan për çmimin e barnave, kjo profit nga ana e kompanive ka rënë në bazë të ligjit për ta ruajtur xhepin e konsumatorëve. Dhe kemi pasur një tip rezistence nga disa – jo nga të gjithë – sepse pjesa më e madhe e distributorëve kanë qenë bashkëpunues, por nga disa kemi pasur një rezistencë në ofrimin e produkteve për të krijuar edhe kriza të paqena, pavarësisht që i kanë pasur produktet brenda”, shtoi ai.

Të ngjashme