Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për Ekonomia Online se procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, me investime të fokusuara në sportele “ku bëhen të gjitha tollovitë”.
Sipas Vitisë, kjo do ta zgjidhë një problem të kamotshëm të qytetarëve, e përveç digjitalizimit, do të investohet edhe në kushte komode gjatë pritjes.
Tutje, ministri, ka folur edhe për listën e barnave esenciale, e cila tani është në nivelin më të lartë ndonjëherë, duke mbuluar 70-75 të barnave në QKUK.
Madje, ai ka thënë se në disa klinika specifike, ku kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95 për qind.
“Një problematikë që është paraqitur edhe nga pacientët, janë pritjet e gjata në ambiente aspak komode. Kemi identifikuar se kjo është për shkak të infrastrukturës dhe mos-digjitalizimit të procesit të pritjes. Në radhë, do të kemi investime në sportele, nyjet kyçe ku bëhen të gjitha këto tollovi. Kështu digjitalizohet procesi i pritjes, rregullohen ambientet ku presin qytetarët dhe bëhet ‘paitent floë’, pra rrjedha e pacientit, që qytetarët të presin sa më pak, por edhe nëse ka raste që presin, të jetë pritje në kushte komode”.
“Lista e barnave esenciale edhe në QKUK, edhe në sistemin primar, tani pas nënshkrimit të shumë kontratave është në një nivel që më herët nuk ka qenë kurrë në Republikën e Kosovës. Sa i përket barnave në QKUK, kjo listë është diku 70 apo 75% e përmbushur për momentin, por në disa klinika specifike ku edhe kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95%”.
“Në nivelin primar janë nënshkruar shumë kontrata të cilat më herët, për shkaqe të ndryshme, kryesisht që nuk ka pasur operatorë të interesuar për të garuar në procesin e prokurimit, tanimë një pjesë e mirë është zgjedhur dhe për herë të parë kontratat që janë nënshkruar në Ministrinë e Shëndetësisë sa i përket barnave arrijnë nivelin 70%, kurse për materiale shpenzuese shkon mbi 95%”.
Ai ka thënë se Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor, teksa ka marrë shembull atë të Klinikës së Gjinekologjisë për barna për fertilizimin e asistuar mjekësor.
“Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor. Ne synojmë që sivjet ta funksionalizojmë edhe shërbimin e fertilizimit të asistuar mjekësor në Klinikën Gjinekologjike, ku përveç aparaturave që tashmë janë duke u montuar dhe ambienteve që kanë përfunduar, nevojiten edhe disa barna, të domosdoshme për këtë procedurë. Me kërkesën e drejtorit të Gjinekologjisë, Komiteti i Listës së Barnave Esenciale veçse e ka marrë si kërkesë dhe besoj që shumë shpejt do ta përditësojë listën dhe t’i fusë edhe këto barna.”
“Aty ku kemi mundësi, brenda buxhetit, sepse e tha edhe kryeministri që gjatë një viti qytetarët tanë kanë nevojë për rreth 120-130 milionë euro barna. Një pjesë të madhe e mbulon shteti, mirëpo jo qind për qind dhe ne po punojmë që në pjesën ku ngarkohet më së shumti xhepi i qytetarëve, ta mbulojmë. Nuk mundemi që t’i fusim të gjitha kategoritë njëherë, por po punojmë që ta shtojmë volumin e kësaj liste”.
E teksa foli për problemet në referimet e shumta nga spitalet dhe qendrat tjera në QKUK, Vitia ka thënë se po bëhen disa veprime që numri të ulet.
“Ministria e Shëndetësisë ka dhënë udhëzimet. ShSKUK-ja tash është duke punuar në këtë drejtim. Kanë filluar disa investime në spitale regjionale, investime që do të vazhdojnë, për të rritur kapacitetin dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve. E dyta, ajo çka po bën ShSKUK-ja, çdo referim që bëhet duhet të jetë referim i arsyeshëm dhe duhet të raportohet. Kjo na ndihmon edhe neve si Ministri e Shëndetësisë që t’i hartojmë politikat tona të investimeve, në kuptimin që është problem i referimit, mungesa e resurseve njerëzore, të hapim vende pune për këto pozita. Nëse është edukimi i vazhdueshëm profesional, bashkë me QKUK-në, të bëhet edukimi. Ndërsa, nëse është mungesa e hapësirave ose e pajisjeve, të investojmë në hapësira dhe pajisje të reja, që numri i referimeve të ulet. Procesi ka filluar, çdo referim bëhet në koordinim me QKUK-në dhe Klinikën Emergjente”.