Vitia për marrëveshjen Kosovë-Shqipëri për trajtimin falas të pacientëve me dializë: Akoma nuk kemi marrë përgjigje

Prishtinë | 08 Gus 2025 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka deklaruar se është në pritje të një marrëveshjeje me Shqipërinë për ofrimin e shërbimeve të dializës falas për qytetarët kosovarë që ndodhen në Shqipëri, sidomos gjatë pushimeve, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se qytetarët nga veriu i Shqipërisë tashmë përfitojnë trajtim në spitalet e Gjakovës dhe Prizrenit, ndërsa Kosova ka kërkuar disa herë në mënyrë zyrtare që kjo të aplikohet edhe në drejtim të kundërt.

Vitia shtoi se ka pasur premtime pozitive nga pala shqiptare, por ende nuk ka një marrëveshje zyrtare.

“Kjo është një marrëveshje që ka filluar që nga viti 2018, jemi shkuar duke rregulluar akoma, qytetarët nga pjesa veriore e Shqipërisë marrin shërbime të hemodializës në spitalin e Gjakovës por edhe të Prizrenit. Ne e kemi kërkuar tri ose katër herë përmes ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës që të ofrohet ky shërbim edhe për qytetarët tanë falas, edhe për qytetarët nga Kosova kur shkojnë në pushime, akoma nuk kemi marrë përgjigje në këtë drejtim. Në një bisedë telefonike që kam pasur me ministrës të shëndetësisë në Shqipëri më kanë premtuar do të jenë agil dhe do të bëjnë maksimumin për ta realizuar këtë marrëveshje, por kur do të bëhet nuk kam informata zyrtare akoma”, ka thënë Vitia.

Të ngjashme