Vitia: Situata në institucionet shëndetësore është shumë e rëndë, masat i ndihmojnë procesit të vaksinimit

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 17:21 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se situata me Covid-19 është shumë e rëndë, sidomos në institucionet shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë vendimi për masa të reja ka qenë i domosdoshëm. Vitia në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se varianti britanik është duke u përhapur më të madhe dhe është më i rrezikshëm.

“Kemi mbi 900 pacientë të shtruar në spitale. Kemi personelin shëndetësorë që është i pakët në këtë situatë të krijuar dhe stërlodhur. Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet më shpejt dhe i prekë moshat e reja që do të vaksinohen tek me planin e tretë të vaksinimit. Masat janë mëse të nevojshme për shkak se konsiderohet si mjeti më efektiv për mbrojtje nga COVID 19”, ka thënë ai në konferencë.

Vitia është shprehur se masat e reja do t’i ndihmojnë fazës së vaksinimit, duke shtuar se edhe shumë shtete tjera evropiane kanë vepruar njëtë duke kufizuar masat dhe vaksinimin si masë për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet shëndetësore. Varianti britanik është shumë i përhapur dhe shumë më i rrezikshëm që prek më shumë të rinjtë, e të cilët pritet të jenë grupi i tretë i vaksinimit. Masat e reja kanë qenë të nevojshëm tash kur ka filluar dhe vaksinimi. Ngjashëm kanë vepruar edhe vendet tjera edhe pasi kanë filluar vaksinimin. Masat e reja e kompletojnë procesin e vaksinimit i cili është në procesin fillestar”, tha Vitia.

Ai ka thënë se Qeveria është duke punuar për të siguruar vaksina.

“Qeveria po punon pa ndërprerë që të sigurojë vaksina, e kuptojmë kritikën që masat mund të jenë në dëm të ekonomisë por jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtyre sektorëve ashtu siç është paraparë Ministria e Financave ka përgatitur masat për ruajte. e shëndetit të ekonomisë”.

E sa i përket qarkullimit të disa lajmeve se do të mbërrijnë disa vaksina me çmim 15 euro ai ka thënë se ky është një lajm i rremë.

Fjala e plotë e ministrit Vitia:

Te nderuar përfaqësues se mediave,

Te dashur qytetare,

Fillimi i procesit të vaksinimit me datën 30 mars, pas arritjes së kontigjentit të parë të vaksinave, është lajm i mirë e përplot shpresë. Mjeteve me të cilat iu kemi kundërvu si institucione pandemisë tashmë, i është shtuar edhe vaksina kundër Covid-19 , që është zgjidhja më e mire ndaj kësaj pandemie. 

Por, atë që kemi thënë, dhe është treguar e sakte në të gjitha vendet ku vaksinimi ka filluar me herët se te ne –  pavarësisht vaksinimit – ne duhet paralelisht të respektojmë masat bazike si mbajtja e maskës, distanca, higjiena dhe ajrosja e vazhdueshme e ambienteve të mbyllura. Gjithashtu, derisa nuk vaksinohemi të gjithë, asnjë nuk është i sigurt.

Vetëm sot kemi 14 vdekje nga COVID -19, 14 qytetarë të Republikës kanë humbur jetën nga kjo sëmundje në 24 orët e fundit.  Ngushëllimet më të sinqerta të gjithë te dashurve të tyre.

Mbi 900 pacientë të konfirmuar dhe dyshuar për COVID-19 janë të shtruar në spitalet tona, e mbi 730 prej tyre janë me oksigjeno-terapi.

Kemi personelin shëndetësor i cili përkundër se, qe më shume së një vit po qëndron ne krye të detyrës edhe është i pakët në numër karshi kësaj situate,  edhe është i stërlodhur.

Kemi qytetarë të tjerë me sëmundje të ndryshme, te cilët nganjëherë edhe nuk po mund ta marrin mjekimin me kohë.  Me fjalë të tjera situata është e rëndë. Është shumë e rëndë.

Të dashur qytetarë, varianti i ri Britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet shumë më shpejt, është më agresiv dhe i prek moshat e reja – të cilët do te vaksinohen në fazën e tretë të planit të vaksinimit.

Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit, sepse çdo jetë është e vlefshme. E drejta për  jetë është mbi të gjitha të tjerat. Masat kufizuese, pavarësisht të gjitha masave që janë provuar,  janë dëshmuar si me të efektshmet për futjen nën kontroll të menaxhimit të pandemisë. Për këtë kemi ne nevojë tani.

Ngjashëm kanë vepruar të gjitha vendet e zhvilluara sa herë që situata është rënduar, përfshirë këtu edhe pas fillimit të vaksinimit. Franca, Italia, Belgjika ndonëse kanë filluar vaksinimin në fund të dhjetorit, tre muaj para nesh, dhe me intensitet shumëfish më të lartë se ne, kanë në fuqi masa tejet kufizuese deri në mbyllje të plotë. Ngjashëm është edhe rasti me Gjermaninë, Çekinë, Holandën, e Irlandën, e shume vende te tjera duke përfshirë edhe rajonin. 

Prandaj, kujdesi i shtuar dhe masat e reja, përfshirë ato kufizuese e komplementojnë procesin e vaksinimit, veçanërisht tash kur procesi i vaksinimit është ende në nivelet fillestare. Vetëm kështu maksimizohet përpjekja jonë fillimisht për zvogëlimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit. Në këtë situatë të rëndë, ku trendi i rritjes është i vazhdueshëm, ne së pari duhet të ulim këtë trend.

I lusim qytetarët që të respektojnë të gjitha masat në nivel individual, që të ndërprejnë zinxhirin e përhapjes së infeksionit dhe ta mbyllim qarkun të gjithë së bashku.

Në anën tjetër, Qeveria po punon pandërprerë që të sigurojë vaksina sa më shumë e sa më shpejtë. Dhe, në këtë proces nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë. Është i gjithë kabineti, duke filluar nga Kryeministri Kurti, por edhe vetë Presidentja Osmani. Po punojmë për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve në spitalet tona.

E kuptojmë kritikën e deritanishme që masat kufizuese në fuqi mund të kuptohen dhe janë në dëm të ekonomisë tashmë të rënduar të vendit, e në veçanti penalizojnë disa sektorë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtyre sektorëve dhe natyrisht se bashkëndiejmë me ta. Prandaj, ashtu edhe siç ishte paraparë edhe para vendimit për masat e reja, që kanë për synim ruajtjen e shëndetit publik, Ministria e Finanacave, Transfereve dhe Punës, ka përgatitur edhe ato masa që synojnë ruajtjen e shëndetit të ekonomisë.

Para se t’ia kaloj fjalën ministrit Murati, më lejoni të ju njoftoj se kemi vendosur që të formojmë grupe punuese me përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë dhe të gjitha grupeve tjera të ndikuara nga vendimet tona ashtu që kërkesat tona dhe nevojat e tyre të sinkronizohen në atë çka besoj që është qëllimi ynë i përbashkët, luftimi i COVID-19, ruajtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve tanë.

Të ngjashme