Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia ka treguar nëse do të mund të kthehet në Kosovë deputeti Behgjet Pacolli pa u futur në karantinë.
Tha se karantina vlen për secilin që futet në Kosovë, duke përjashtuar ata që kanë sëmundje kronike ose tjetër.
“Kjo gjë është politizuar pa nevojë më shumë se sa që duhet. Çdo rast që ka ardhur në Kosovës, përjashto ata që kanë paraqitur dokumente për sëmundje kronike ose sëmundje tjetër, janë vendosur në karantinë”, tha ai në Rubikon.
“Z. Pacolli ka mundur të dërgojë përmes e-mailit në MSH ku paraprakisht secili qytetar që dëshiron të riatdhesohet dërgon dokumentacionin e vetë dhe paraprakisht qendra operative i merr te gjitha masat ose të dërgohet në karantinë ose të dërgohet në vetizolim në shtëpi”, shtoi ai.
Tha se ka provuar të komunikojë me kryetarin e AKR’së për t’i treguar për procedurat.
“Kam provuar 3 ose 4 herë të flas me Pacollin në telefon që nga mëngjesi por nuk kam mundur”, tha ai.
Kështu sipas Vitisë nëse Pacolli ka sëmundje kronike mund të hyjnë në Kosovë pa u dërguar në karantinë.
“Në momentin që një qytetar hynë në Republikën e Kosovës kontrollohet nga ekipet shëndetësore, prezantohet dokumenti nëse vuan nga sëmundje kronike dhe në momentin që prezantohet ky dokument nënshkruhet deklarata nën betim, pavarësisht se kush është ai, përfshirë edhe kryeministrin që hyn brenda dhe drejtohet të qëndrojë në vetëizolim në shtëpi”, tha Vitia.
Po Pacolli nëse ka dëshmi të tilla?
“Absolutisht po. Si secili qytetar tjetër i Kosovës”, tha Vitia.