Vitin e ardhshëm Kosova bëhet me sigurime bujqësore

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 11:45 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunimin me Projektin  ECA Agro-Financave i implementuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, Grupi i Bankës Botërore, ka mbajtur takimin e sektorit për sigurime bujqësore.

Qëllimi i këtij projekti është rritja e qasjes në financa për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm bujqësorë dhe zbutja e rreziqeve që lidhen me financimin e bujqësisë, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në detyrë, Memli Krasniqi  tha se formimi i një sistemi të tillë të sigurimeve do të bëjë që të zvogëlojnë  pasojat me të cilat po përballen fermerët si rezultat i kushteve të ndryshueshme klimatike dhe fatkeqësive të tjera të cilat ndikojnë në rendimentet bujqësore.

“Për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme buxhetore dhe një linjë të dedikuar për këtë kompensim, këto masa kanë qenë të kufizuar . Sidoqoftë duke pas parasysh intensitetin në rritje të paraqitjes së fatkeqësive elementare, si rezultat edhe i efekteve të ndryshimeve klimatike globale jemi të përkushtuar maksimalisht që të krijojmë dhe të implemetojmë sistemin e sigurimit për prodhimtarinë bujqësore si një sistem të qëndrueshëm financiarisht bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera e përmes të cilit do të arrijmë të menaxhojmë rreziqet e ndryshme në prodhimtarinë bujqësore duke i parandaluar apo të paktën për të minimizuar pasojat e tyre negative” tha  Krasniqi .

Ndërsa, Fehmi Mehmeti, nga Banka Qendrore tha se mungesa e  qasjes në financa  është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen fermerët.

”Një sfidë kryesore në sektorin e agrikulturës në Kosovë është qasja në financa dhe mbrojtja e rendimenteve bujqësore. Mungesa e  qasjes në financa  është një ndër pengesat kyçe  për fermerët në  përmirësimin e efikasitetit të prodhimit të tyre  dhe adaptimin e teknologjisë më të mirë për krijimin e avantazheve  konkurruese”, tha Mehmeti.

Përfaqësuesi i zyrës së IFC-së për Kosovë, Visar Perani tha se implementimi i sigurimeve bujqësore do të bëj që rreziku për financim nga bankat do të jetë më i vogël.

“Jam i bindur se me implementimin e sigurimeve bujqësore, sektori bujqësor do të jetë shumë më atraktiv për financim nga bankat të cilat janë prezent këtu dhe se sigurisht rreziku për financim të kompanive në bujqësi do të jetë më i vogël”, tha Perani.

 

Të ngjashme