Vizita e Kurtit në Shkup, Sadiku: I shuan keqkuptimet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 05 Gus 2024 | 14:34 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka thënë se vizita e kryeministrit Albin Kurti, të hënën në Maqedoninë e Veriut, i shuan sadopak keqkuptimet mes dy vendeve, kjo pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, raporton Ekonomia Online. 

Ai ka thënë se këto incidente kanë ndodhur pasi qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut, udhëhiqet nga VMRO, që sipas tij, është një qeveri anti-shqiptare me raporte të mira me shtetin Serb. 

“Sigurisht ky takim është i mirëseardhur në kuptimin e asaj që sa do pak të shuhen ato anomozitet midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Veçanërisht pas incidentin që ndodhi me presidenten Osmani në aeroportin e Shkupit. Ndonëse dihet që kjo qeveri faktikisht udhëhiqet nga VMRO në Maqedoninë e Veriut, është një qeveri anti-shqiptare, i ka raportet më të mira dhe më të mëdha me Serbi”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se incidente të ngjashme ndaj udhëheqësve shqiptarë ka pasur edhe në të kaluarën, duke përmendur rastet e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. 

“Kjo ka ndodhur edhe më parë, incidente pothuajse të ngjashëm ose le të themi injorimet e tilla ka pasur edhe gjatë kohës kur ka qenë president Fatmir Sejdiu. Në atë kohë kemi pasur shumë takime ku faktikisht është injoruar presidenti Sejdiu. Ose takimet që kanë ndodhur nga presidentet e rajonit nuk është ftuar ose është ftuar me vonesë. Tendenca të tilla bëhen zakonisht nga Republika e Maqedonisë së Veriut kur udhëhiqet nga VMRO për të hy në hatër Serbisë dhe raportet e ngushta që kanë mes dy partive. E dini se në Maqedoni ekziston një pakicë e vogël serbe ku praktikisht shumica e tyre votojnë për VMRO dhe natyrisht që ata kanë edhe interes elektoral që ti prishin raportet me shqiptaret në Maqedoni”, ka thënë ai. 

Sadiku ka thënë se shqetësuese për të ka qenë qëndrimi i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, e cila është në koalicionin me VMRO-në.

“Për mua ka qenë shqetësuese tendenca e VLEN që është në koalicion  me VMRO për ta quajtur situatën që është një aksident dhe kalohet lehtësisht. Nuk ishte aspak, ky incident ka qenë mirë i planifikuar, ka qenë tendencioz ndaj presidentes dhe Kosovës. Një gjë e tillë nuk duhej që të kalohet lehët nga VLEN si përfaqësues ose parti e shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë ai për EO. 

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, tha këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina.

Të ngjashme