Vizita e ministrit të jashtëm të Luksemburgut në Kosovë, nis nga takimi me Gërvallën

Prishtinë | 04 Nën 2024 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve kosovare, raporton Ekonomia Online.

Bettel vizitën e tij e fillon me një takim me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Pas këtij takimi, në orën 13:55, ai do të pritet nga zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë, ku të dy liderët do të zhvillojnë bisedime për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një ceremoni të veçantë, Bislimi dhe Bettel do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit.

Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut. Në fund të vizitës së tij, Bettel do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim zyrtar ku do të diskutohen temat e përbashkëta dhe mbështetja e Luksemburgut për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kjo vizitë pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit./EO/

Të ngjashme