Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, shkaku i vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të qëndrojë sot në Kosovë.
Në njoftim thuhet se ndërprerja do të jetë në intervale të shkurta kohore dhe në segmentet ku pritet të kalojë eskorta. Gjatë kësaj kohe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.
“Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit nga KE-ja në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën, përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.
Von der Leyen do të ketë takime me krerët e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Me presidenten do të takohet në orën 09:45, ku pas takimit do të mbajnë edhe konferencë për media. Ndërkohë, me Kryeministrin do të takohet në orën 11:15.
Von der Leyen ka vizituar deri tash Tiranën, Shkupin, Beogradin dhe Sarajevën. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.
Gjatë vizitës në Tiranë, Von der Leyen ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut.
“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Von der Leyen.