Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vitisë, ministrja qëndroi edhe në fshatin Stubëll, në të cilin ndodhet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë e cila sipas shumë dokumenteve daton para pesë shekujve, por që nën udhëheqjen e Dom Mikel Tarabulluzit, në vitin 1905 themelohet si shkollë e parë shqipe.
“Është një shtëpi muze, objekt i përhershëm i trashëgimisë kulturore. Është një monument i cili ka një histori pesë shekullore dhe ka kaluar faza të ndryshme, si ajo osmane, e pastaj tek rilindësit tanë”, u shpreh ministrja Dumoshi kur foli për shkollën e parë shqipe si pjesë të trashëgimisë tonë kulturore të cilën e kemi obligim që ta ruajmë e dokumentojmë.
Ndërsa kryetari Haliti falënderoi MKRS-në nëpërmjet ministres Dumoshi, si institucionin përgjegjës, për shndërrimin në shkollë-muze shkollën shqipe në Stubëll, duke e futur në kuadër listës së trashëgimisë si objekt e si histori. Kryetari tha se për nder të shkollës, çdo vit në Komunën e Vitisë organizohet ngjarja tradicionale “Ditët e Dom Mikelit” ku marrin pjesë intelektualë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj, sipas Halitit, është dhënë kontributi në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, dhe Ministria e Kulturës ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme në këtë drejtim.