Dy mërgimtarë nga Gjermania, një burrë dhe një grua kanë përfunduar në Polici me të ardhur në Kosovë, pasi u denoncuan nga nusja e tyre për dhunë në familje. Rasti ka ndodhur në fshatin Banjë të Istogut dhe sherri plasi pasi vjehrritë ia morën dokumentet e udhëtimit.
Më 7 maj, nusja mbërriti në Kosovë bashkë me vjehrritë për të kaluar pushimet, por siç duket asgjë nuk shkoi siç e kishin planifikuar. Sinjali mëson se viktima i raportoi prindërit e bashkëshortit në Polici pasi të njëjtit ia morën dokumentet dhe e lajmëruan familjen e saj se “motra juaj është e lëshume”.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga denoncimi i gruas 30-vjeçare.
Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se gjithçka ndodhi me qëllim nga vjehrria, pasi sipas saj ajo është e martuar me djalin e tyre që shtatë vite dhe nuk kanë fëmijë ende. Përveç motivit që ajo e zbuloi në Polici, e njëjta ka deklaruar se është viktimë edhe e dhunës fizike dhe psikike që ia kanë shkaktuar të dyshuarit.
Pas denoncimit të rastit, Sinjali mëson se Policia ka ftuar të dyshuarit për intervistim. Të njëjtit i kanë mohuar pretendimet e viktimës, duke u shprehur se ia kanë marrë dokumentet nuses, por ia kanë kthyer sërish.
Prokurori kujdestar, pas intervistimnit, ka marrë vendim që të dyshuarit, vjehrritë e viktimës, njëri 57 e tjetri 58 vjeçar, t’i dërgojë në mbajtje në kohëzgjatje për 48 orë.