Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe “Agrokosova Holding” kanë organizuar aktivitetin “Vjelja e Rrushit Kosova 2023” në Suharekë, raporton Ekonomia Online.
Aktiviteti, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, mblodhi kultivues të rrushit, zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilia Rexhepi, kryetarin e Suharekës Bali Muharremaj dhe përfaqësues të bizneseve vendore.
Në një fjalë rasti, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se tashmë ky është një event tradicional. Ai i bëri thirrje Qeverisë që të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe prodhues vendës.
Sipas tij, kjo është fryma e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.
“Prodhimtaria e Kosovës është një sektor i rëndësishëm për hallkën ekonomike të vendit, prandaj Qeveria e Kosovës duhet më shumë të fokusohet në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe për prodhuesit vendor, duke i subvencionuar prodhuesit dhe eksportuesit. Kjo është e ardhmja e Kosovës sepse pa prodhim nuk mund të investohet”.
“Vreshtaria është vlerë e shtuar e ekonomisë së Kosovës”, tha Shahini, raporton EO.
Pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifesti, AKB-në dhe komunën për mbështetjen e vazhdueshme.
“Sivjet jemi me një vit të veçantë dhe kemi arsye me qenë të lumtur për faktin se ka qenë i vështirë për rrushin por që kemi arrit me ruajt kuantitetin dhe kualitetin e rrushit. Kjo festë është më e madhe dhe uroj që vitet tjera edhe moti të jetë në favor”, u shpreh ai.
E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi se komuna që e udhëheq, shquhet për prodhimtari e suksese në shumë fusha. Sipas tij, cilësia dhe rendimenti i rrushit sivjet janë të larta.
Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emillia Rexhepi, u shpreh e kënaqur ne sukseset dhe cilësinë e rendimentit të rrushit.
Ajo premtoi mbështetje për prodhuesit vendës nga ana e Qeverisë së Kosovës.