Ministria e Shëndetësisë tashmë ka propozuar masat e reja anti-COVID, të cilat priten të miratohen të shtunën nga qeveria e Kosovës.
E këto masa të reja, nuk janë pritur mirë nga gastronomët, pasi që orari i operimit të këtij sektori është kufizuar deri në orën 21:00.
Lidhur me këtë vendim të MSH-së për gastronminë për Gazetën Infokus ka folur përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, i cili masat e reja i ka quajtur të paarsyeshme.
“Këto masa janë të paarsyeshme, sepse ne kemi një proces vaksinimit i cili ka shkuar shumë mirë dhe varianti Omicron ka nivelin e fatalitetit shumë të ulët. Në këtë nivel dhe në këto kapacitete spitalore të cilat janë deri më tash që janë rreth 100 persona, asnjëherë në asnjë vendim nuk ka pasë ashpërsim të masave me statistika të tilla”, tha ai.
Sipas tij këto masa nuk duhet të ndërmerren pasi që Kosova është duke kaluar në një krizë energjetike dhe ekonomike.
“Kosova po kalon në një krizë ekonomike, thash edhe në krizë energjetike cila e rritë edhe më shumë krizën ekonomike me asnjë lehtësim për bizneset ne politika fiskale. Në asnjë formë s’po përkrahemi dhe pa nevojë po kufizohemi, prandaj edhe nuk i pranojmë këto masa”, tha Vranica.
Përfaqësuesi ligjor i gastronomëve po ashtu tha se nuk kanë pasur asnjë takim me komitetin për vlerësimin e gjendjes me pandeminë në Kosovë
“Nuk po respektohen zotimet dhe po merren masa të paarsyeshme, po megjithatë shumë të dëmshme për të gjithë neve”, deklaroi përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.
Këto masa pritet të hyjnë në fuqi nesër, ku orari i gastronomisë do të kufizohet deri në ora 21:00. Kurse ora policore do të fillojë nga ora 22:00.
Kujtojmë se numri i të infektuarve me COVDI-19 ka shënuar shifra alarmante, ku mbi 95% e këtyre rasteve janë me variantin Omicron.