Vendimi për lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj është shtyer deri në seancën e radhës, më 2 mars. Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Ardian Gjini, ky vendim i Gjykatës në Colmar të Francës është i padrejtë dhe jashtë çdo logjike.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Gjini është shprehur se shtyrja e seancës për një kohë kaq të gjatë ka qenë befasi për Aleancën.
“Pritshmëritë tona kanë qenë se sot është dashur të vendosej për lirimin e Haradinajt për shkak se nuk ka bazë që të mbahet. Kjo zvarritje është edhe njëherë duhet ta them e padrejtë, dhe përtj logjikës të gjithë asaj si është ndërtuar Kosova, përtej logjikës që ne e kuptojmë. Është ndalje për më shumë tash po i bjen për dy muaj, në mënyrën më të padrejtë të mundshme dhe na ka befasuar shumë”, ka thënë ai.
Tutje, Gjini ka shtuar se pritet të ketë konsultime me mbrojtjen e Haradinajt dhe vetë kryetarin Ramush Haradinaj lidhur me veprimet e mëtutjeshme të AAK-së.
Ndryshe, 2 marsin e ka vlerësuar si shumë të gjatë edhe vetë Ramush Haradinaj. Ai pas përfundimit të seancës është shprehur se është humbur shumë kohë me kërkim ekstradimin e tij, e i cili është i pabazuar.
Kujtojmë se Haradinaj është arrestuar në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze më 4 janar të vitit 2017. Arrestimi është bërë në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, e ku Haradinaj akuzohet për krime lufte (Indeksionline)