Kryeparlamentarja dhe nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka thënë se figura të caktuara brenda partisë janë ankuar për të në administratën Amerikane si dhe në partinë EPP.
Në Pressing, të T7, Osmani tha se këtë e konsideron si “thikë pas shpinës”.
“Kemi figura të caktuara që dërgojnë prapa shpinës thika sepse kjo nuk i takon LDK’së sepse nuk mund të bëhet LDK si partitë tjera. Ta zëmë, hic në raport me VV’në që ka qenë në koalicion, në raport me mua si kryetare e Kuvendit, si nënkryetare e LDK’së”, tha ajo.
Osmani ka shtuar tutje se në EPP, sipas saj u ankuan se i kanë humbur zgjedhjet pikërisht për shkak të saj, shkruan Gazeta Metro.
“Përderisa akoma ishte koalicioni gjallë kishte zyrtarë të LDK’së që i dërgonin letra administratës amerikane, EPP’së për mua, ku thuhej se ajo nuk ka qëndrime për këtë cështje ose atë cështje. Ose së fundi EPP’së i thanë i kemi humbur zgjedhjet shkaku i Vjosa Osmanit”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera ajo ka shtuar se pavarësisht kundërshtimeve brenda partisë, me kolegët e saj gëzon marrëdhënie të mirë.
Në fund, Osmani gjithashtu theksoi se është gabim të thuhet se ajo po ia mbanë anën kryeministrit në largim, Albin Kurtit.