Kandidatja për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka thënë që Hashim Thaçi në kohën e tij, ka qenë figura më përçarëse politike.
Osmani në Rubikon tha që në momentin që do të zgjedhet presidente, do të bashkëpunojë me deputetët që kanë vizion të përbashkët, por që aktiviteti i saj nuk do të jetë partiak.
“Në momentin që zgjedhem presidente, deputetët e Kuvendit që besojnë në një vizion për Kosovën më të mirë, do të bashkëpunojnë me mua, vetëm se do të jemi në pozita të ndryshme; do të jemi në të njëjtën ndërtesë dhe në të njëjtin kat, por aktiviteti im nuk do të jetë partiak”.
“Ka ardhë koha që edhe ne t’i ndihmojmë gjeneratave të reja, ta ndërtojnë gradualisht karrierën e tyre politike. Kontributi që bashkarisht do ta japim për Kosovën, unë nga presidenca, deputet e listës tonë të përbashkët dhe Qeveria kurti 2, do të jetë më e rëndësishme se çështjet që po ngriten tani”.
“Edhe nuk do të përfaqësoj asnjë parti politike, edhe pikërisht legjitimiteti qytetar që do ta marr në këto zgjedhje, do ta përmbushë kërkesën kushtetuese për përfaqësimin e unitetit popullor. Sepse të krahasohet situata me Thaçin, që ka qenë figura më përçarëse në skenën politike atëherë me situatën sot, është vërtet e pakrahasueshme”.