Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim para qytetarëve në Malishevë, duke e cilësuar këtë komunë si simbol të qëndresës shqiptare dhe të sakrificës për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në adresimin e saj, Osmani tha se çdo familje në Malishevë bart histori sakrifice dhe se kujtimi i dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të kësaj ane mbetet amanet për brezat e sotëm. Ajo theksoi se ata nuk dhanë jetën që Kosova të mbetej e përfshirë në kriza politike, përçarje dhe zgjedhje të njëpasnjëshme.
“Malisheva vërtet është simbol i qëndresës shqiptare. Është një vend ku liria është e simbolizuar në secilën familje dhe ku secila familje ka histori dhe sakrificë. Prandaj, sa herë vij këtu, ndihem me peshën e amanetit që na kanë lënë dëshmorët e martirët dhe heronjtë e kësaj ane. Ata nuk e dhanë jetën që Kosova të jetojë në grindje e në kriza të pafundme. Ata nuk u flijuan që Kosova jonë, atdheu ynë i dashur, të mbetet peng i njerëzve që mbijetojnë vetëm në kriza politike e zgjedhje të njëpasnjëshme. Ata nuk u sakrifikuan, bashkë me familjet e tyre, që të shohin rininë tonë duke e parë të ardhmen vetëm në mërgim, vetëm duke u larguar nga këtu. Ata luftuan për një Kosovë të fortë, për një Kosovë të respektuar në botë, për një Kosovë që ecën krenare me kombet e lira, e për një Kosovë ku rinia të ardhmen e sheh këtu e jo larg saj”, tha Osmani
Osmani kërkoi hapjen e një kapitulli të ri për vendin, ku fokusi kryesor të jetë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, investimet, përmirësimi i arsimit dhe shëndetësisë, si dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Prandaj sot ju them nga Malisheva: ka ardhur momenti që Kosova të rikthehet te forca e saj më e madhe, te bashkimi. Sepse historia jonë është e qartë: sa herë i kemi bashkuar forcat, kemi fituar. Kur kemi qenë të bashkuar, e kemi arritur lirinë. Kur u bashkuam sërish, e ndërtuam shtetin. Kur kemi qenë të bashkuar, kemi bërë të pamundurën të mundur. Ndërsa sa herë kemi lejuar përçarjen që të hyjë në mes shqiptarëve, kemi humbur energji, kemi humbur kohë, kemi humbur mundësi dhe kemi humbur shpresë. Prandaj sot Kosova ka nevojë për një drejtim dhe një kapitull të ri. Një drejtim ku politika flet për zhvillim ekonomik, por edhe e zbaton atë që flet. Ku politika flet dhe krijon vende të reja të punës. Ku politika merret me investime. Ku politika merret me shkolla më të mira e shëndetësi më cilësore. Ku politika arrin suksese për Kosovën kudo në botë, deri në Shtëpinë e Bardhë, e jo ankese e konflikte të pafundme”, tha Osmani para qytetarëve.
Osmani bëri thirrje që qytetarët të kërkojnë shpresë për veten dhe familjen e tyre dhe një të ardhme më të mirë për rininë e vendit.
“Unë e di që ju jeni lodhur nga zhurma dhe e di që kërkoni rezultate konkrete. Prandaj ju bëj thirrje: kërkoni shpresë për veten, për fëmijët tuaj, kujdes më të mirë nga shteti, pleqëri më të dinjitetshme për familjarët tuaj të moshuar, kërkoni një të ardhme shumë më të mirë për rininë e Kosovës, kërkoni dritë për Kosovën tonë”, tha Osmani.