Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin zviceran në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Kosovë.
Kryetarja Osmani e falënderoi Ambasadorin Lebet për punën e shkëlqyer si përfaqësues i Zvicrës në Kosovë, si dhe për angazhimin aktiv dhe përmbajtësor gjatë misionit të tij diplomatik.
Kryetarja Osmani shprehu mirënjohje për ndihmën që shteti i Zvicrës i ka ofruar Kosovës në pandemi dhe për mbështetjen jashtëzakonisht të vlerësuar në përballimin e kësaj sfide të përbashkët. Të dyja palët u dakorduan që për një menaxhim të suksesshëm të kësaj situate, rimëkëmbja ekonomike dhe përkujdesi për shëndetin e qytetarëve duhet të jenë prioritete paralele, sepse, siç theksuan ata, pa shëndet të qytetarëve nuk ka as zhvillim ekonomik dhe anasjelltas.
Për më tepër, Kryetarja Osmani theksoi që gjatë misionit diplomatik të Hubert është vërejtur një prezencë akoma më dinamike e Zvicrës në Kosovë në fusha dhe temat që prekin përditshmërinë e qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilave dalloi luftimin e korrupsionit edhe mbështetjen për promovimin dhe avancimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara.
Me këtë rast, Kryetarja Osmani e uroi Ambasadorin Lebet me rastin e Ditës kombëtare të Zvicrës.
Në fund, kryetarja Osmani i uroi Ambasadorit Lebet suksese në angazhimin e mëtejmë dhe e siguroi atë që institucionet e Kosovës do të jenë mikpritëse ndaj pasardhësit të tij për të vazhduar bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Zvicrës.