Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim Tao Zhang, Zëvendësdrejtor Menaxhues i Fondit Ndërkombëtar Monetar i shoqëruar nga Stephanie Eble, Përfaqësuese e Lartë Rezidente, Gabriel Di Bella, shef i Misionit në Kosovë, Mentor Mehmedi, Këshilltar i Drejtorit Ekzekutiv dhe Selim Thaçi, ekonomist.
Osmani falënderoi Zhang për bashkëpunimin e deritanishëm të FMN-së me institucionet e Kosovës që nga viti 1999 duke u shprehur që “është objektivë e jona, në kuadër të programit të Qeverisë së re, e cila do të formohet shumë shpejtë falë bashkëpunimit në mes të LDK-së dhe LVV-së, që të përqendrohemi tek rritja e punësimit ndër të rinjtë dhe gratë.” Sa i përket zhvillimit ekonomik, Osmani theksoi se “sektori privat është motori kryesor i zhvillimit ekonomik përderisa Qeveria e re do të përqendrohet tek investimet në kapitalin dhe potencialin njerëzor të qytetarëve të Kosovës.”
Duke shprehur interesin e LDK-së të thellojë bashkëpunimin me FMN-në në kuadër të programeve qeverisëse, Osmani rikujtoi edhe një herë që “LDK, si parti e qendrës së djathtë, do të sigurohet që shpenzimet buxhetore të institucioneve kosovare gjithnjë do të jenë brenda kornizës së makrostabilitetit ekonomik në Kosovë, përgjegjësisë fiskale dhe maturisë buxhetore.”
Zhang falënderoi dr. Osmanin për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të promovuar nga LDK-ja në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Duke falënderuar dr. Osmanin për zotimin për planifikim buxhetor të mirëfilltë shpalosi edhe interesimin e FMN-së drejt politikave dhe programeve që avancojnë mbrojtjen e ambientit në Kosovë dhe anekënd Botës.