Lideri rus thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur një “nivel të paprecedentë” në prag të vizitës së tij të 25-të në Kinë
Vladimir Putin pritet të mbërrijë në Pekin të martën për një vizitë shtetërore, katër ditë pasi Donald Trump u largua nga Kina, raporton The Guardian.
Vizita e Putin në Kinë – e 25-ta sipas mediave shtetërore kineze – pasqyron vetëbesimin në rritje të Pekinit në skenën botërore si një qendër e aktivitetit diplomatik global.
Ajo gjithashtu nënvizon marrëdhënien e thellë mes Putinit dhe liderit kinez, Xi Jinping. Të dy burrat janë takuar më shumë se 40 herë, duke tejkaluar ndjeshëm takimet e Xi me cilindo lider perëndimor.
“Të presësh dy nga liderët më të fuqishëm në botë brenda pak ditësh tregon vetëbesimin në rritje të Kinës për vendin dhe pozitën e saj në botë”, tha William Yang, analist i lartë në International Crisis Group.
Ai tha se Xi “me gjasë dëshiron t’ia kujtojë Trumpit se Pekini ka marrëdhënie të tjera të forta dhe të qëndrueshme ku mund të mbështetet, kështu që Washingtoni nuk mund ta izolojë apo dëmtojë lehtësisht Pekinin nëse përpiqet ta bëjë këtë”.
Vizita e Putinit vjen në një kohë kur ai po hyn në atë që mund të jetë periudha më e vështirë e sundimit të tij të gjatë. Imazhi i tij si lider i fortë brenda vendit ka filluar të zbehet, pasi Rusia ka bërë pak përparim në fushëbetejën në Ukrainë këtë vit. Vështirësitë ekonomike në rritje të Rusisë po e shtojnë vazhdimisht varësinë e saj nga Kina, duke e kthyer atë që Kremlini e paraqet si partneritet mes të barabartëve në një marrëdhënie shumë më të pabalancuar.