E diela e kësaj fundjave që qëlloi edhe 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, bëri bashkë udhëheqëset e dikastereve komunale të prira nga Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi të cilat pritën në një takim falënderimi e mirënjohje për kontributin e sakrificat e tyre, gratë veterane të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirënjohjëse e falënderuese në emër të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu dhe institucionit të Komunës e Kuvendit të Ferizajt të pranishmeve iu drejtua, Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi.
“Kontributi më i shenjtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, padyshim është simbol i barazisë gjinore, duke qenë të barabarta me burrat edhe në kohërat më të vështira, ballë për ballë armikut.
Pushka juaj e lirisë për ta fituar luftën për çrrënjosjen e okupatorit shekullor, për shumë trima e trimëresha, martirë e martire, heronj e heroina, kurrë nuk ka pasur hezitim.Ju nuk keni kursyer jetën për ta fituar lirinë. Shumë të rinj e të reja janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, mirëpo jetojnë ende në vargjet, këngët, mendjet dhe zemrat tona. 8 Marsi shërben për të kujtuar përpjekjet e grave për barazi dhe paqe, për liri dhe demokraci. Ju jeni pikërisht gratë dhe vajzat që luftuat për paqe dhe liri. Për të shprehur përgjithësisht mirënjohjen për të gjitha gratë shqiptare, që edukuan gjenerata të tëra fëmijësh, me respektin për vlerat njerëzore dhe për ato kombëtare. Për të nënvizuar respektin për të gjitha ato gra, të njohura ose jo, që bën edhe më shumë qysh në kohëra të hershme, duke kapërcyer pragun e shtëpisë, duke ndikuar në një mënyrë ose në një tjetër drejtpërdrejt në jetën e popullit tonë. Për të vlerësuar çdo grua të sotme që në kushte aspak të lehta rrit fëmijë, apo përpiqet të përmirësoj kushtet e mjedisit ku rriten të gjithë fëmijët e këtij vendi” tha mes tjerash Kryesuesja Bytyçi.
Me mirënjohje e falënderim u nderuan gratë veteranë të luftës së UÇK-s. Gratë veterane të UÇK-së, bashkë me drejtueset e përfaqësueset politike e institucionale në nivel lokal, u përkulën e bën homazh edhe pranë shtatores së Heroinës së Kombit, Hyrë Emini – Mira.