Analisti Arbër Vllahiu ka folur sonte për ecurinë e fushatës për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.
Ai ka thënë se fushata nuk është krejt manipuluese, por është pjesa ku bëhen zotimet.
“Në fushata nuk është krejt manipulim. Ti mund të manipulosh me shifra, ka pasur premtime 200-250 mijë vende të punës, ka pasur gjithçka, dhe nuk e kemi parë të realizohen pas fushatës. Ajo është pjesa ku bëhen zotimet, e tani njerëzit e kanë marrë që nëse bën më shumë zotime del më mirë në fund. Problemi është që kur do të ulet e tërë kjo në një nivel, kur populli dhe qytetarët që votojnë kanë për të besuar një program të caktuar, jo një parti politike të caktuar”, tha ai.
Sipas tij, në Mitrovicë i gjithë spektri politik ka zbarkuar për të mbështetur një kandidat politik – Agim Bahtirin.
“Ju e keni Mitrovicën sot, ku i gjithë spektri politik qoftë partiak, qoftë shtetëror ka zbarkuar në Mitrovicë për të mbështetur një kandidat, prej kryetarit të kuvendit e poshtë, për ta mposhtur kandidatin. E kuptoj që është e rëndësishme ta mbrosh bastionin tënd, por kjo vjen edhe prej pjesës së institucioneve dhe ne do të shohim gradualisht deri në fund se si fillon të rritet ky nivel i zbarkimeve të tilla për ta mbështetur kandidatin deri në fund”, u shpreh Vllahiu.