Vllasi dëgjohet si dëshmitar në rigjykimin e rastit “Syri i Popullit”, polemika mes anëtarit të trupit gjykues dhe njërit avokat

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykimin e rastit të njohur si “Syri i Popullit”, ku Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica po akuzohen për ndihmë në tentim vrasjen e Azem Vllasit, ky i fundit është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, në seancën e së hënës.

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit”, me kërkesën që Prokuroria Speciale ta rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardhur me një aktakuzë të re, të përmirësuar. Sipas aktakuzës së re, të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha, ku për këtë të fundit tashmë ka përfunduar gjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin Murat Jashari. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

Fillimisht, dëshmitari Azem Vllasi deklaroi se qëndronte në tërësi pranë deklarimit të tij të bërë në gjykimin paraprak, më 16 korrik 2018, si dhe pranë deklaratave të dhënë në hetuesi, para ngritjes së aktakuzës.

Dëshmitari Vllasi tha se bazuar në shkresat e lëndës kishte kuptuar se i akuzuari Llumnica kish rol në përgatitjen dhe në aktin e sulmit ndaj tij, sulm ky i kryer nga tashmë i ndjeri Murat Jashari.

“Po di, në bazë të shkresave të kësaj lënde dhe në bazë të asaj çka ka gjet hetuesia lidhur me rolin e Avni Llumnicës në përgatitjen dhe në aktin e sulmit ndaj meje nga ana e shokut të tij të ngushtë, të cilin në ton atë punë e ka shoqëruar prej vozitjes nga Zvicra deri në tentimin për të ikur kur ai e ka kryer veprën, Murat Jashari e ka kry sulmin ndaj meje, dhe i ka thanë me telefon e piva kafen, po iku. Këto i di në bazë të shkresave të lëndës”, tha dëshmitari Azem Vllasi.

Sipas dëshmitarit Vllasi, moment vendimtar në këtë rast ka qenë edhe takimi në motel “Fontana”, ndërmjet Murat Jasharit e të akuzuarve Llumnica dhe Ramabaja, dy ditë para sulmit ndaj tij.

Vllasi ka thënë se marrë parasysh faktin se tani i ndjeri Murat Jashari, sipas ekspertizës trajtohej si njeri i sëmurë, ishte i qartë përfundimi se ndaj tij kishte ndihmë dhe nxitje konkrete për të kryer këtë akt.

“Pasi që me ekspertiza dhe me aktakuzë u trajtu Murat Jasharu si njeri i smutë, që drejtpërdrejti e ka kry sulmin ndaj meje, konkludimi sipas meje del i qartë se ai njeri i smutë, pa nxitje konkrete, pa ndihmesë konkrete qysh me ardh deri te unë, që është momenti dhe ju lutem nga shkresat e lëndës ta merrni dëshminë e të ndjerit Ramiz Mavriqi”, shtoi Vllasi.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari e ka pyetur dëshmitarin Vllasi se ku mbështetej pretendimi i tij, se Murat Jashari ka qenë i nxitur që të ndërmarrë veprime konkrete, për cka Vllasi tha se kjo vërtetohej nga shkresat që ishin pjesë e lëndës.

Ky i fundit ka mohuar ta ketë njohur më parë të akuzuarin Llumnica, para ngjarjes kritike.

Më pas, gjatë rrjedhës së kësaj seance, ka pasur polemika ndërmjet mbrojtësit të të akuzuarit Sadri Ramabaja, avokatit Ramiz Krasniqi dhe anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj.

Si shkas për këtë është bërë pyetja e avokatit Krasniqi në adresë të dëshmitarit Vllasi, me përmbajtjen: “Meqë kemi të bëjmë me një aktvendim i cili mban datën 01.03.2017, i cili kërkon zhvillimin e hetimeve ndaj Murat Jasharit për dy vepra të rënda, dhe se Jashari sipas dëshmive në Kosovë ka hy më 06.03.2017, me pasaportë të rregullt, pyetja është kjo: çka do të thotë për ju një aktvendim i tillë dhe pse ndaj të dyshuarit Murat Jasharu policia nuk ka vepruar për ta arrestuar?”.

Më pas, ka reaguar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i cili ka kërkuar nga dëshmitari Vllasi që të mos përgjigjej në këtë pyetje.

Pas kësaj, avokati Ramiz Krasniqi i është drejtuar gjykatësit Kurtaj me fjalët: “Ju se keni përgatit lëndën, se e kishit leju shumë mirë me u përgjigj. Po na përsëritet gjykimi i parë”.

Lidhur me këtë, gjykatësi Kurtaj është përgjigjur se si anëtar i trupit gjykues, ai ishte i barabartë me kryetarin e këtij trupi gjykues dhe se kjo pyetje ishte dashur të parashtrohej ndryshe.

“Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë, i thash a e din, nuk është e vërtetë. Përcille mirë gjykimin, përcille mirë gjykimin”, ka vazhduar tutje avokati Krasniqi.

Pas këtij deklarimi të avokatit Krasniqi, gjykatësi Kurtaj ka kërkuar që atij t’i shënohej një vërejtje në procesverbal.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar sërish avokati Krasniqi, duke iu përgjigjur gjykatësit Kurtaj se nuk kishte të drejtë të shënonte vërejtje dhe se ishte i papërgatitur për lëndën.

“Nuk ke të drejtë ti me dhanë vërejtje, nuk keni të drejtë. Je i papërgatitur për lëndën dhe po imponon. Keq që se ke marr lëndën, është dashtë me u bo kryetar i kolegjit”, deklaroi avokati Krasniqi.

Në fund të kësaj situate, gjykatësi Kurtaj i është drejtuar avokatit Krasniqi me fjalët: “Prapë je tuj më ofendu o avokat”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë shqyrtim gjyqësor palët kanë dhënë edhe fjalën e tyre hyrëse, me ç’rast prokurori Burim Çerkini tha se gjatë këtij gjykimi do të paraqiten prova, me të cilat do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u ngarkohen.

Sipas prokurorit Çerkini, gjatë këtij gjykimi do të dëgjohen dëshmitarë e do të administrohen prova materiale, që do t’i kontribuojnë vërtetimit të gjendjes faktike të përshkruar si në aktakuzë.

Ngjashëm, edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Azem Vllasi, avokati Nasuf Hasani ka deklaruar se bazuar në provat që do të administrohen do të vërtetohet pretendimi i prokurorisë.

Qëndrim të kundërt me prokurorinë dhe palën e dëmtuar ka paraqitur mbrojtja e dy të akuzuarve.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari tha se ishte krijuar një praktikë jo e mirë nga ana e prokurorisë, që të paraqesë aktakuza të pabazuara në prova dhe fakte konkrete, që sipas tij, kishte ndodhur edhe në këtë rast.

Më pas, avokati Rudari ka shprehur bindjen e tij se gjatë këtij gjykimi nuk do të vërtetohet fare teza e aktakuzës, pasi tha se këto prova veçse ishin administruar gjatë gjykimit të kaluar.

Ngjashëm edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi, e ka cilësuar aktakuzën e PSRK-së si joprofesionale, me pretekstin se nuk ka respektuar fare vërejtjet e dhëna nga Gjykata e Apelit.

Sipas avokatit Krasniqi, kjo aktakuzë ishte e ndërtuar mbi katër të pavërteta, të cilat gjatë administrimit të provave, nuk do të vërtetohen në asnjë mënyrë.

“Aktakuza e re, ndërtohet mbi katër të pavërteta, e që fjalori i gjuhës shqipe përcakton qartë se çka janë të pavërteta. Unë nuk e po e them këtë fjali për hir të gjykatës. Cilat janë këto të pavërteta të cilat gjatë administrimit të provave nuk do të vërtetohen në asnjë mënyrë, madje vet propozimi i provave nga prokuroria, e thonë të kundërtën e kësaj që thuhet në aktin akuzues”, tha avokati Krasniqi.

Në fund të fjalës së tij hyrëse, avokati Krasniqi ka thënë se Azem Vllasi e din mirë se kush e kishte viktimizuar dhe se ai duhet ta ketë të qartë se nuk ishte viktimë as e Sadri Ramabajës e as e të ndjerit Murat Jashari.

Me fjalën hyrëse të dhënë nga avokati Krasniqi u pajtua në tërësi i akuzuari Ramabaja, i cili shtoi se ndihej fitimtar, pasi tha se akuza e parë për terrorizëm kishte rënë poshtë.

Më pas, i akuzuari Ramabaja tha se tanimë drejtësia ndërkombëtare do të merrej me ata persona që de facto, sipas tij, ishin autorë të kësaj aktakuze.

“Ndjehem fitimtar në betejën e parë me drejtësinë, më vjen mirë që akuza për terrorizëm ka rënë poshtë, jo vetëm për shkak të personit tim si ish i burgosur politik, dhe si profesor universitar e autor librash, por mbi të gjitha më vjen mirë për Republikën e Kosovës, se nuk do të mbetet në aktet ligjore një tentativë për t’ia imponuar krijimin e një organizate terroriste. Më vjen mirë gjithashtu, se drejtësia ndërkombëtare tash do të merret me ata që de fakto ishin autorët e asaj aktakuze”, ka thënë Ramabaja.

Në fund të deklarimit të tij, Ramabaja tha se në fund të këtij procesi gjyqësor do të vërtetohej se viktimë reale ishin të gjitha ata persona që janë përballur me drejtësinë në këtë rast.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 19 prill, nga ora 09:30.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajit për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M. J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë J. në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M. J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjer M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte  kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohej për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit M. J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjerë, M. J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, i ndjeri M. J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat  penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e akuzonte J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por J. iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.

Sipas kësaj aktakuze Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.

Të ndjerit M. J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për tu proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.

Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.

Sipas aktakuzës së datës 27 tetor 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi që PSRK heqë dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M. J., sipas  vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti vuante nga sëmundje mendore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik. /BetimipërDrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme