Askush në Kosovë nuk po i kushton rëndësi vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të paralajmëruar për në Zubin Potok, i ka thënë “Danasit” të Beogradit Azem Vllasi, ish-politikan i Kosovës. Por ai ka shfaqur shpresën se fjalimi i Vuçiqit nuk do të jetë “imitim i mitingjeve të çmendura të Millosheviqit, që u përplaseshin për kokë serbëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë”, transmeton Koha.net.
Në Kosovë askush nuk është kundër dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës, por janë kundër që në dialog të përfshihet çështja e rivizatimeve territoriale dhe ndryshimi i kufijve ekzistues, citon kjo gazetë Vllasin.
Duke komentuar shkrimin e igumenit të manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, rreth ndarjes territoriale, Vllasi ka thënë se Janjiq e di që ndarja do të ishte mesazh për serbët në jug të Ibrit që të shpërngulen për në veri.
Igumeni Sava do të duhej të mendojë për kishat, manastiret dhe për grigjën e tij dhe të mos përzihet në politikë dhe punë të shtetit. Ai ka të drejtë vetëm kur thotë se është kundër rivizatimeve territoriale, pavarësisht nga motivet, ka thënë Vllasi, transmeton Koha.net.
Siç është shprehur Azem Vllasi, në vazhdim dialogu duhet të përqendrohet në thelbin e çështjeve, që janë të drejtat njerëzore e etnike të serbëve në Kosovë, si dhe ato të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai konsideron se është e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të njohin njëra tjetrën dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, meqë dy shtete fqinje do të mund të merreshin vesh për korrigjime përkatëse të kufijve, por jo për zhvendosje të popullsisë në baza etnike dhe të nxitjes së tensioneve, transmeton Koha.net.