“Ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, i cili nuk ishte dashamirës i Kosovës, por ishte ndër të paktët liderë atje që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin”, kjo është kundërpërgjigja e kryeministrit Albin Kurti, ndaj kritikëve për përkujtimin e Gjingjiqit në 20 vjetorin e vrasjes së tij. Politikanë të kohës së Gjingjiqit dhe profesor universitar kanë mendime të ndryshme për qëndrimin e Kurtit, për disa përkujtimi i një politikani që donte ndarjen e Kosovës është gabim, ndërsa të tjerë qëndrimin e Kurtit po e cilësojnë si strategji për të shfaqur presidentin Aleksandar Vuçiq si një politikan anti-demokrat.
“Kosova të jetë e ngjashme si në Bosnjë e Hercegovinë, ku edhe bashkësia shqiptare edhe ajo serbe do të kishin statuset e veta proporcionale dhe të përpiqen që bashkërisht ta definojnë rregullin në Kosovë”.
“Këtë sistem ne në Serbi do ta pranonim si një status asimetrik, që do të ishte më shumë se Krahinë e më pakë se Shtet i pavarur”
Këto rreshta janë të shkëputura nga intervista e gjatë e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq dhënë për korrespodentin e Zërit të Amerikës në Beograd, Fahri Musliun.
Intervistë është realizuar më 7 shkurt 2003, 34 ditë para vrasjes së Gjingjiqit në hyrje të ndërtesës së Qeverisë.
20 vjet pas vrasjes, të dielën Gjingjiq u përkujtua Albin Kurti, veprim për të cilin u kritikua kryeministri, e për çka u kundërpërgjigj sot.
“Zoran Gjingjiq, i cili nuk ishte dashamirës i Kosovës, por ishte ndër të paktët liderë atje që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin. Ai u vra nga eksponentë të krimit të organizuar që kanë kryer krime të luftës edhe në Kosovë. Tash natyrisht do të kritikohem, mirëpo bindja ime e fuqishme është se në këtë përvjetor jubilar të kësaj vrasje politike dhe atentati ndaj një gjysmë demokracie që po lind në Serbi është dashur të shënohet”, ka thënë Kurti.
Përkundër që këtë qëndrim nuk e konsideron si dashakeq, kategorikisht kundër shkrimit të tij shprehet njeriu që për mbi pesë dekada e përcjellë politikën në Serbi.
“Jo vetëm Gjingjiqi por edhe Tadiqi të cilin më vonë evropianët e shpallën demokrat të vitit dhe as Vuçiqi dhe asnjë fatkeqësisht, politikanë serbë deri më tash prej kur njohim historinë e tyre të vonë nuk ka qenë as nuk janë demokrati, përkundrazi kanë qenë të prirur anti-Kosovë, anti-shqiptarë”, ka thënë Mazllum Baraliu, për RTV Dukagjini.
Baraliu thotë se vend të përkujtimit për personin që kërkonte ndarjen e Kosovës duhet të përkujtohen viktimat e luftës së fundit.
Qëndrim pak a shumë të ngjashëm ka edhe ish-politikani Azem Vllasi, i cili madje tërheqë paralele për mosreagimin e Kurtit për plagosjen që iu bë atij para disa viteve.
“Pikërisht në ditën e sotme para 6 viteve kur erdh te dera dhe shtiu mbi mua me qëllim që me më vra, i vetmi prej liderëve kosovarë ishte Albin Kurti që nuk e gjykoi atë rast…Prandaj nuk e di çka i duhet as nuk i takon me protokoll të prononcohet në përjvetorin e vrasjes së dy serbëve (Gjingjiq dhe Oliver Ivanoviq) prej vet serbëve. E që për Kosovën kanë pasur qëndrim të njëjtë që Kosova duhet të jetë pjesë e Serbisë dhe jo shtet”, ka thënë Vllasi.
Sa i përket qëndrimeve të Gjingjiqit për Kosovën, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu thotë se të gjithë janë në dijeni, gjë që prapë nuk e bënë të gabuar veprimin e Kurtit.
“Ai natyrisht duhet të përzgjidhte të japë një shembull konkret, nga ata që kanë një të kaluar më pak kriminale edhe këtu një shembull i tillë është kryeministri Gjingjiq i cili e ka arrestuar Millosheviqin dhe e ka dorëzuar në Hagë”, ka thënë Spahiu.
Kurti ishte kritikuar edhe për përkujtimin në përvjetorin e vrasjes së politikanin serb, Oliver Ivanoviq. Ndaj Ivanoviqit është një proces i papërfunduar gjyqësor, ku akuzohet për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999 si dhe vrasje të rëndë në vitin 2000.