Vllasi: S’ka shkëmbim të territoreve, çështjet e kufijve janë të mbyllura

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 14:04 | Nga

Ish-këshilltari i presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit, njëherit edhe avokat, Azem Vllasi, ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, mundësinë e korrigjimit të kufijve si dhe situatën e sigurisë.

Në një intervistë për Radio Sarajevën, Vllasi është shprehur se autoritetet serbe të udhëhequra nga presidenti Aleksander Vuçiq kanë nxitur kriza të panevojshme në regjion, ani pse sipas tij ata e dijnë që Kosova është pavarësuar nga Serbia qysh në vitin 1999, transmeton lajmi.net.

“Vuçiq dhe njerëzit përreth tij të cilët janë në pushtet në Serbi, të cilët atje kanë ardhur në skenën politike në kohën e konfliktit, pastrimit etnik dhe luftës spastruese, nuk dijnë se si t’i zgjidhin problemet me dialog. Edhe pse ata e dijnë se që nga viti 1999 Kosova është pavarësuar nga Serbia, ata kanë nxitur kriza të mëdha në Kosovë. Vuçiq ka tendencë të brendshme të gënjejë që kinse serbët e Kosovës janë në rrezik dhe ai është që do t’i shpëtoj”, ka thënë Vllasi.

Sipas Vllasit, janë të pakuptueshme paralajmërimet e 30 mijë serbëve të veriut për autonomi në Kosovë, pasi që sipas tij në pjesët tjera të vendit jetojnë rreth 60 mijë sosh.

Ai po ashtu ka thënë se asnjë proces i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit nuk do të lejohet brenda Kosovës.

Vllasi po ashtu ka folur edhe për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, për të cilën ka thënë se nuk ka gjasa të ndodhë, pasi që sipas tij Kosova dhe Serbia janë shtete të njohura ndërkombëtarisht me kufinjtë aktual.

“Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve. Në rajonin e ish-Jugosllavisë, ku tani kemi shtatë shtete, çështjet e kufirit janë të mbyllura, ani pse mund të ketë marrëveshje për korrigjime të vogla të territoreve”, ka thënë Vllasi.

Në fund Vllasi tha se Serbia mbetet faktori kyq i jostabilitetit në Ballkan, pasi që sipas tij Beogradi po tenton që me çdo kusht të mbajë marrëdhëniet në nivel me Rusinë, për të cilën ai thotë se është në rivalitet me Perëndimin.

Ai po ashtu përmendi edhe tendencat e Beogradit për zgjerim të territorit, për të cilat tha se ato po shfaqen hapur edhe në Kosovë, mirëpo se nuk do të mund të realizohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme