Organizatë kriminale dhe terroriste e ka quajtur organizatën “Syri i Popullit”, i dëmtuari Azem Vllasi gjatë dëshmisë së tij në seancën e shqyrtimit gjyqësor në këtë rast, raporton “Zëri.info”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, në cilësinë e të dëmtuarit, Vllasi thotë se nuk kishte pasur asnjë herë ndonjë kërcënim para sulmit ndaj tij.
“Për organizatën kriminale, terroriste Syri i Popullit kam dëgjuar pas sulmit ndaj meje. Unë personalisht kërcënime me telefon, me letra, apo kërcënime personale që kanë lidhje me integritetin tim personal nuk kam pasur. Ngjarjen e 13 marsit do ta mbaj mend gjithë jetën”, është shprehur Vllasi.
Ai ka rrëfyer ngjarjen nga 11 marsi kur kishte marr telefonatë nga Ramiz Mavriqi, i cili sipas tij i kishte thënë se një palë kishte nevojë të konsultohej me të.
Megjithatë, Vllasi tha se nuk ishin marrë vesh që pala të shkonte në zyre, por të taktonin por vetëm përmes telefonit.
“Më 11 mars 2017, e shtune isha në Kamenicë për vikend. Nuk mundem mi mbajt mend të gjitha telefonatat, por e mbaj mend më ka thirr një Ramiz Maveiqi me të cilin njihna që nga rinia dhe më tha një njeri po e lyp një palë dhe kishte nevojë për disa konsultime avokatie. Ai kërkoi numrin tim të telefonit, unë i thash le të lajmërohet të hënën dhe te shohë se për çka bëhet fjalë. Të hënën me 13 mars nuk kisha asnjë takim dhe rrej zilja para orës 8:00. Masi ra zilja nja dy herë unë vendosa me hap derën se mendova mos është ndonjë kojshi. Po e shohë. Një. njeri që mbante diçka në dorë, dhe e pyeta çfarë problemi ka. Ai tha se ka çështje pronësore dhe unë i thash ka disa vjet që nuk merrem me këto çështje. Ai insistonte të hynte brenda. Më tha më ka qu Ramiz Mavriqi. Unë i thash ai më ka thirr po nëse je ti që të ka çua ai OK edhe me unë i kam thënë me m’thirr jo me ardhë. Kur kam dal me ja dhënë letrën ky ish kurdis me revole në dorë dhe me shurdhues dhe ka mësyrë të hyj brenda. Jam ballafaqua fyt për fyti me te dhe ky ka arrit me shkrep”, tregoi Vllasi, raporton më tutje “Zëri”.
Ai mohoi të ketë pasur ndonjë kërcënim nga dikush pas sulmit që i ishte shkaktuar.
Vllasi pohoi se pas sulmit kishte pasur një telefonatë më kodin rus, por që nuk e di nga kush i ishte bërë ajo telefonatë.
“Të nesërmen e mora veten dhe shikova kush ka telefonuar në telefonin tim personal kam gjetur shumë telefonata dhe mesazhe dhe ajo që më ka rënë në sy i kam gjetur dy telefonata ka 7 ose 8 në mbrëmje me kodin rus”, u shpreh ai.
Shqyrtimi po vazhdon me pyetjet e të akuzuarve ndaj të dëmtuarit, Azem Vllasi.