Vllasi thotë se do ta falë Murat Jasharin, me një kusht

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 12:24 | Nga

Azem Vllasi ka thënë sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës se është në gjendja te falë atentatorin e tij Murat Jasharin nëse ai tregon se kush e shtyu drejt vrasjes së tij dhe për çfarë motivesh.

“Duhet të kemi parasysh se kur të vijnë ekspertët e psikiatrisë duhet të sqarojnë disa çështje lidhur me Murat Jasharin, sepse pretendimet janë se tek unë ka ardhur të më gjuajë një njeri i çmendur e kjo duhet të konstatohet vetëm pasi të dëgjojmë ekspertët, sepse në shkresa të lëndës e kemi një ekspertizë të improvizuar dhe të përgjithësuar e cila është bërë 6 muaj pasi ka ndodhur sulmi ndaj meje dhe nuk e kemi konstatimin se çka ka ndodhë tek ky njeri në burg që e ka mendu veten si Avni Rrustemi e pastaj ka dështu me realizu planin. Nëse ky ( Murat Jashari) tregon dhe zbulon se kush e ka shty dhe për cilat motive që të vijë tek unë më realizu planin për vrasjen e gjithë këtyre njerëzve unë nuk do t’i bashkëngjitesha ndjekjes penale”, ka thënë Vllasi.

Po ashtu ai ka thënë se në ekspertizë duhet të konstatohet gjendja mendore se e Murat Jasharit, nëse ai është ‘debil apo imbecil’. Sipas Vllasit, gjykimi i drejtë i këtij rasti është në interes të shtetit dhe drejtësisë sepse nga plani dhe organizimi ky rast sipas tij është një komplot kundër shtetit pas çlirimit në vitin ’99.

“Këtë komplot do ta dëshironin vetëm armiqtë e Kosovës. Është me rëndësi po ashtu të dimë për burimet e financimit dhe bëhet fjalë për fonde të angazhuara për destabilizimin e rajonit që lidhen me rastin e Kumanovës në Maqedoni dhe tentimin e grushtshtetit në Malin e Zi”, ka theksuar Vllasi.

Më tej Vllasi ka deklaruar në gjykatë se atentati kundër tij me 13 mars është vetëm dëshmi kulmore se zbatimi i planit për vrasjen e 20 personave vetëm ka filluar dhe se plani është në shkresat e lëndës.

“Më duket se me 20 mars ka qenë plani me vra Rizah Halimin e pastaj me 31 mars Hajredin Kuçin. Përpilimim e listës e ka ndihmu dikush. Ideja me fillu prej meje është se unë isha fizikisht i pambrojtur”, ka thënë Vllasi.

Për dëmin e shkaktuar, Vllai kërkoi rreth 1 milion  euro dëmshpërblim.

“Dëmi që më është shkaktuar është i pamatshëm dhe i pariparueshëm si  dhe kërkoj dëmshpërblim 900 e 20 mijë euro”

10 të akuzuarit në rastin e “Syrit të Popullit” ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Përveç Murat Jasharit dhe Bajrush Konjushës, të akuzuarit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Për më tepër, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hapur gjykimin në rastin e Syrit të Popullit.

Në fjalën hyrëse në shqyrtim gjyqësor të dhënë nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, i ka propozuar trupit gjykues që me të gjitha provat e propozuara në aktakuzë të vazhdojë dhe të procedojë sipas ligjit.

Kurse pala e dëmtuar, Azem Vllasi, në fjalën e tij ka thënë se përkrahë fjalën hyrëse të prokurorit dhe aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës./Kallxo.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme