Është rritur numri i ankesave të qytetarëve që i janë drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike, shkruan Ekonomia Online.
AIP gjithashtu ka për mision këshilldhënien organeve publike dhe private, marrjen e vendimeve për ankesat e paraqitura, inspektimet dhe kontrollet, informimi i publikut, si dhe promovimi e përkrahja e të drejtave themelore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku në një intervistë për Ekonomia Online tha se numri i ankesave në këtë agjenci ka filluar të rritet pas datës 28 shtator , kur kanë filluar javën e informimit për të shënuar ditën ndërkombëtare të qasjes në dokumente publike.
“Aktualisht ne kemi një numër prej 125 ankesave në sektorin e qasjes. 85 prej këtyre ankesave janë shqyrtuar dhe mbyllur edhe pse agjencia e ka në misionin e saj vënien e gjobave si akt të fundit. Deri më tani në këto 85 ankesa raste të mbyllura ne nuk kemi shqiptuar gjobë, për faktin se institucionet kanë reflektuar dhe i’u kanë dhënë qasje qytetarëve për kërkesat të cilat ata i kanë pasur ndaj institucioneve”.
Sogojeva-Dermaku njoftoi se edhe ankesat për mbrojtjen e të dhënave personale është duke u rritur vazhdimisht.
“Sa i përket numrit të ankesave për mbrojtjen, po ashtu te mbrojtja kemi rreth 40 ankesa, diku rreth 24 prej tyre janë të mbyllura. Mirëpo për shkak edhe afateve që janë të gjata te shqyrtimi i ankesave në të drejtën e privatësisë, atëherë edhe jemi në proces të shqyrtimit, numri është më i vogël i mbyllur i këtyre ankesave në krahasim me qasjen”.
Tutje Komisionerja e AIP tha se ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe i institucioneve në raport me njohjen e së drejtës për çasje në dokumente publike është shumë më i lartë se sa për të drejtën e privatësisë e që sipas saj këtë e vërteton numri i madh i ankesave për Çasje në Dokumente Publike.
Sa i përket informimit të qytetarëve, Krenare Sogojeva për Ekonomia Online tha se në bazë të disa anketave që i kanë zhvilluar në 6 qytetet më të mëdha të Kosovës, ka dalur vetëm rreth 59% e qytetarëve kanë njohuri për ekzistimin e AIP-së, kurse pjesa tjetër nuk kanë njohuri fare.
Këtë ajo e cilësoi mjaft shqetësuese për faktin se e drejta për informim dhe Ligji për qasje në dokumente publike ka ekzistuar shumë më herët.
“Është Avokati i Popullit ai që është marrë dhe vazhdon të merret e ka në misionin e tij mbrojtjen e kësaj të drejte, por gjithsesi se ekziston një agjenci e cila tashmë për shkak se dikujt do i mohohet qasja në dokumente publike, do të mund të ketë një derë të hapur që të ankohet dhe të dënohet institucioni deri vënien e gjobës”.
“Kjo, në bazë të kësaj ankese shihet se informimi është shumë i ulët, domethënë nuk e dinë. Është rreth 60% siç e ceka por gjithsesi nuk është i kënaqshëm dhe ne jemi në vazhdimësi duke punuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve por edhe të institucioneve për të ngritur vetëdijen për zbatimin e ligjit për qasjen në njërën anë nga ana e institucioneve publike po edhe në anën tjetër për realizimin e të drejtave zë qytetarit për qasje në dokumente publike”.
Sipas Kmisioneres mënyra më e mirë për të informuar qytetarët për AIP siç e kanë paraparë në planin e vitit 2022 është shpërndarja e fletushkave, aktivitete e projekte të ndryshme, bërjen e video-animacioneve, video adresimeve por edhe mbajtjen e konferencave e tryezave të ndryshme për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët.
“Ndërsa në anën tjetër veç kemi arrit t’i mbajmë disa trajnime profesionale me zyrtarët në institucione publike, të cilët janë caktuar si zyrtarë të qasjes në mënyrë që ajo është hallka e parë te institucioneve që adresohet kërkesa nga ana e qytetarit në mënyrë që zyrtari ta ketë të njohur procedurën se si duhet ta trajtoj një kërkesë për qasje në dokumente publike”.
Si shkelës më të shpeshtë në AIP, Sogojeva-Dermku tha se janë kryesisht nga sektori privat.
“Sektori privat dhe ato kanë të bëjnë me marketingun e drejtpërdrejtë që është përmes SMS, kompanitë e ndryshme që bëjnë promocione edhe kohëve të fundit është vërejtur një trend i dukshëm edhe i ankesave të vëzhgimit me kamerë që ne veç kemi lëshuar opinione dhe kemi trajtuar disa raste të vëzhgimit me kamerë”.
Sipas saj, duhet të kemi parasysh se agjencia vepron, domethënë edhe në bazë të inspektimeve, ankesat shqyrtohen duke bërë inspektime në sektorin e mbrojtjes dhe gjithherë çdo vendimi i ka paraprirë një inspektimi dhe më pas është vendos nga ana e zyrtarëve të AIP-së për të drejtën e palës mbi ankesën.
Sa i përket KQZ-së, komisionerja tha se KQZ është një kontrollues edhe përpunues i të dhënave personale e se nuk ka njohuri nëse ka akuza.
“KQZ-ja është një kontrollues edhe përpunues i të dhënave personale. Çdo kontrollues dhe përpunues i të dhënave personale duhet të bëjë kontrollimin dhe përpunimin e të dhënave të ligjshëm. Të ligjshëm nënkupton se duhet të kenë një harmoni në mes të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjeve të tyre mbi bazën e të cilave funksionojnë”
“Nuk kam njohuri nëse ka akuza apo jo, gjithsesi dua të kthehem te ajo se agjencia për informim dhe privatësi në procesin administrativ e ka të drejtën që të vë gjobë mbi shkelësit e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sa herë që kemi ankesë ne e trajtojmë ankesën në këtë mënyrë. Afatet janë të përcaktuara me ligjin e procedurës të përgjithshme administrative si dhe procedura e cila ndiqet është mbi bazën e Ligjit të procedurës administrative”.
Komisionerja tha se sa i përket palëve që kanë paraqitur ankesa deri më tani nuk ka pasur pakënaqësi e as nuk ka kthim të rasteve.
“Deri më tani kemi një reflektim shumë të mirë të palëve të cilët zakonisht e shprehin atë përmes adresimit në e-mail adresën tonë dhe deri tani rastet që i kemi të mbyllura nuk kemi kthim të rasteve, sepse zakonisht palët e pakënaqura dinë edhe të kthejnë përgjigje, të thonë se nuk jemi të kënaqur por deri më tani nuk kemi ndonjë rast”.
Sa i përket afateve ajo njoftoi se afati i shqyrtimit të ankesave është deri në tre muaj, Sogojeva Dërmaku theksoi se trajtimet e rasteve janë të gjitha njësoj pavarësisht ndaj cilit institucion, operator apo kompani private u drejtohen.
“Afatet janë deri në tre muaj për çështjen e mbrojtjes për shqyrtimin e ankesave dhe të mbrojtjes dhe ne i trajtojmë ato siç e thash mbi bazën e procedurave tona të brendshme që i kemi në kuadër të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale e që fillojnë me inspektimet dhe pastaj përmbyllen me një vendim përmbyllës, me një raport përmbyllës nëse veç tejkalohet domethënë mundësia e shkeljes së të dhënave personale apo nëse nuk kemi atëherë ne edhe vendosim gjobë. Deri më tani edhe shtylla e mbrojtjes nuk kemi raste për me vendos gjobë”.